Timo Werner i ka thurur elozhe Jurgen Kloppit për punën që po bën te Liverpooli, derisa ka bërë të ditur se do të përshtatej mjaftë mirë në strategjitë e tij.
Sulmuesi gjerman ka kohë që lidhet me një kalim te The Reds dhe gjërat janë duke shkuar në rrugë të mbarë.
Werner që mund t’i bashkohet Liverpoolit në këtë verë, ka thënë se ai e pëlqen stilin e udhëheqjes nga bashkëkombësi i tij.
“Liverpooli e ka trajnerin më të mirë në Botë, Jurgen Kloppin që është gjerman. Kemi shumë gjëra të përbashkëta dhe mendoj se do të përshtatesha shumë në stilin e tij të lojës”, ka thënë ai.
“Është e vështirë të mendosh se ku do të luash sezonin tjetër, por momentalisht jam i fokusuar te Leipzig”.
“Jemi në garë për titull dhe duhet të fokusohemi më shumë aty, pa shkaktuar shumë presion mbi vetën”, ka shtuar më tej Werner.
Anëtari i Rasenball Sport Leipzig mund të provojë një aventurë të re në këtë verë, e që mund të jetë Anfieldi. /Telegrafi/