Një pjesë e vogël e punonjësve të ByteDance në SHBA dhe Kinë gjurmuan llogarinë e një maceje në TikTok për të gjetur adresën IP të pronares së saj, një reportere që mbulon lajmet mbi këtë kompani.
Buffy, një mace me ngjyrë të bardhë dhe të zezë e racës Maine Coon, e emëruar sipas vrasësit të vampirëve, raportohet se kishte 170 ndjekës dhe 20 postime kur punëtorët e kompanisë shikuan në të dhënat e profilit.
Gjurmimi traumatizues thuhet se e ka detyruar Buffy-n të largohet nga mediat sociale: Cristina Criddle, pronarja e maces dhe një reportere për Financial Times, tha se Buffy “nuk po krijon dhe poston më përmbajtje”, transmeton Telegrafi.
Criddle i zbuloi ato detaje në një artikull të fundit që detajonte momentet kur TikTok mendonte të gjurmonte vendndodhjen e saj në një përpjekje të dështuar për të nuhatur një zbulues në kompani.
Tutje Criddle njoftoi se ajo kishte pranuar një telefonatë “kriptike” nga drejtori i departamentit për marrëdhënie me publikun në TikTok pak para festave të fund vitit, duke e informuar atë se ajo ishte një nga 2 gazetarët që ishin përgjuar nga 4 punëtorë.
Punëtorët monitoruan të dhënat e vendndodhjes së reporterëve për të parë nëse ata ishin në afërsi të punonjësve të ByteDance që mund të lidheshin me rrjedhjen, por kjo nuk funksionoi.
“Ishte vërtet rrëqethëse dhe e tmerrshme dhe, personalisht, mjaft dhunuese”, tha Criddle për BBC. Criddle tha se ajo përdorte llogarinë nga telefoni i saj, por se emri dhe profesioni i saj nuk ishin përfshirë në “bio”.
Reporterja thotë se ajo akoma nuk ka marrë përgjigje të plota nga ByteDance në lidhje me kohëzgjatjen e gjurmimit të saj, ndërsa Gizmodo raporton se askush nga TikTok nuk i është përgjigjur kërkesës së tyre për koment.
Gazetarja raporton akoma mbi kompaninë, por thotë se ajo telefonin e saj tani e përdor si “pajisje maskuese” të ruajtur në zyrën e saj dhe të mbajtur vetëm për të hyrë në aplikacion.
Criddle bëri të ditur se asaj i është dashur të zvogëlojë kohëzgjatjen e përdorimit të rrjeteve sociale nëpër platforma pas incidentit që ajo e pati. Edhe tani, muaj më vonë, ajo thotë se ankthi i shkaktuar nga monitorimi e mban atë zgjuar gjatë natës. /Telegrafi/