Thiago Silva është braziliani i parë që e ka mbajtur shiritin e kapitenit në një finale të Ligës së Kampionëve, pikërisht në ndeshjen e tij të fundit si lojtar i Paris Saint-Germainit.
Qendërmbrojtësi 35 vjeçar i udhëhoqi bashkëlojtarët e tij në finalen e zhvilluar në Estadio da Luz, të cilën parisienët e humbën me rezultat 1-0 nga Bayern Munichu.
PSG shkroi historinë duke eliminuar fillimisht Atalantan dhe pastaj RB Leipzigun për të arritur në finalen e parë në histori të klubit.
Dhe Silva, i cili e zhvilloi ndeshjen e fundit për PSG-në, hyri në librat e historisë duke bartur shiritin e kapitenit – duke qenë se asnjë bashkëkombës i tij nuk ka qenë kapiten i njërës prej dy skuadrave finaliste në të kaluarën.
Pas tetë sezoneve dhe më shumë se 300 paraqitjeve për klubin francez, Silva u ka thënë lamtumirë tifozëve dhe tashmë ish-klubit të tij.
“Nuk është lehtë t’i kalosh tetë vite në Paris. Nëse e kam arritur këtë, është sepse kam qenë i dobishëm për skuadrën. Jam shumë i lumtur me gjithçka që kam arritur këtu, me respektin më të madh për atë që ma kanë dhënë tifozët. Është e mrekullueshme”, ka deklaruar Silva për AFP.
Destinacioni i tij i radhës pritet të konfirmohet, ndërsa favorit për nënshkrimin e brazilianit është Chelsea, ndërkohë që në garë është edhe Fiorentina. /Telegrafi/