Themeluesi i ushtrisë private ruse Wagner që ka afërsi të madhe me presidentin Vladimir Putin, Yevgeny Prigozhin, ka bërë sot një deklaratë që paksa ka habitur shumë liderë perëndimorë.
Ai vlerësoi presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, duke e përshkruar atë si “një lider të fortë dhe të sigurt që nuk duhet nënvlerësuar”, transmeton Telegrafi.
“Edhe pse është president i një vendi që aktualisht është armiqësor ndaj Rusisë, Zelensky është një njeri i fortë, me vetëbesim, pragmatik dhe i mirë”, tha Prigozhin në një deklaratë të postuar në rrjetin social Vkontakt.
Analistja politike ruse Tatyana Stanovaya tha se është “interesant” që Prigozhin po shpreh pikëpamjet që janë në kundërshtim me ato të Vladimir Putinit, të cilat njerëzit e tjerë në elitën qeverisëse ruse nuk guxojnë t’i shprehin publikisht.
Kjo nuk është hera e parë që Prigozhin del në opinion me qëndrimet që janë të kundërta me linjën e Kremlinit. Javëve të fundit, së bashku me liderin çeçen Ramzan Kadyrov, ka kritikuar ashpër gjeneralët rusë që po udhëheqin luftën në Ukrainë.
Muajin e kaluar, për herë të parë ka konfirmuar publikisht se kishte themeluar ushtrinë private Wagner, e cila ka kryer punës e pista të Putinit në Siri, Afrikë dhe Ukrainë. /Telegrafi/