Telegrafi

Themelohet ekipi për vlerësimin e veprimeve policore në veri

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka themeluar ekipin e përbashkët për vlerësimin e veprimeve policore gjatë asistimit të tre kryetarëve të komunave në veri të vendit për të ushtruar të drejtën e tyre në punë në objektet zyrtare të komunave.

Inspektoriati nëpërmjet një njoftimi ka bërë të ditur se bazuar në mandatin ligjor sipas detyrës zyrtare dhe në koordinim me Ministrin e Punëve të Brendshme, ka krijuar një ekip të përbashkët (inspektor/hetues) për të vlerësuar veprimet policore gjatë operacionit policor të ditës së djeshme në tre komunat veriore të vendit (Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok).

“Qëllimi i punës së këtij ekipi është që të sigurojmë që Policia e Kosovës ka kryer detyrat konform standardeve dhe autorizimeve kushtetuese e ligjore, drejt krijimit të një mjedisi të sigurt për qytetarët pa dallim. Po ashtu, ekipi synon të identifikojë nëse gjatë këtij operacioni ka pasur tejkalim të autorizimeve policore. IPK siguron se varësisht nga gjetjet e punës së këtij ekipi, konform autorizimeve ligjore dhe në koordinim me Policinë e Kosovës dhe Prokurorin e Shtetit do të adresojë çështjet e ngritura. IPK do të mbajë të informuar opinionin publik me rezultatet e punës së këtij ekipi”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Policia hodhi gaz lotsjellës të premten në hyrje të komunës së Zveçanit për të shpërndarë grupet e serbëve lokalë që hodhën gurë e shashka mbi pjesëtarët e policisë, ndërsa i vuri flakën të paktën një makine.

Policia tha se pesë pjesëtarë të saj pësuan lëndime, ndërsa katër makina u dëmtuan gjatë përleshjeve.

Po Ashtu pati dëmtim makinash të Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit.

Rreth 10 persona kërkuan ndihmë mjekësore në një spital lokal duke u ankuar për lëndime të lehta dhe ndikimin e gazit lotsjellës./Telegrafi/