Telegrafi

Thaçi: Vizita e Grenell nuk ka të bëjë me zhvillimet politike në Kosovë, Kurti të gjejë partner për koalicion

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se vizita e ambasadorit Richard Grenell, të Dërguarit të Posaçëm të Presidentit amerikan Donald Trump për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk ka të bëjë me zhvillimet e brendshme politike në Kosovë.

Gjatë takimit në një darkë pune me emisarin amerikan, Thaçi tha se pas nomiminit që i ka bërë Albin Kurtit për Kryeministër, i mbetet atij të gjejë partner për koalicion, transmeton Telegrafi.

“Unë kam nominuar kandidatin për kryeministër me kërkesën e tij. Tash u mbetet partive politike që të punojnë dhe atij personalisht që të gjejë partner dhe të bëjë shumicën e mjaftueshme që të votohet në Kuvendin e Kosovës. Ambasadori Grenell është i ngarkuari special për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi nga presidenti Trump, nuk është për çështje lokale dhe të brendshme, sikur që nuk është asnjë diplomat, qoftë edhe ambasador në Prishtinë – që të interferojë apo bëjë presion në çështjet e brendshme lokale, sepse është e drejtë e secilës parti politike që të zgjedhë partnerin”, ka thënë ai.

Grenell, i cili ka mbërritur sot në Prishtinë, do të qëndrojë edhe nesër ku do të zhvillojë disa takime me përfaqësues institucionesh dhe të partive politike./Telegrafi/