Ndonëse kosovarët janë në pritje për lajmin se a do të ketë liberalizim të vizave këtë vit për ta, ende gjithçka mbetet e paqartë.
Kosova vazhdon të jetë në pritje të raportit nga Komisioni Evropian (KE), me të cilin do të vlerësohet nëse vendi e ka plotësuar kushtin e fundit për liberalizim të vizave, atë të luftimit të krimit të organizuar dhe të korrupsionit.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka treguar se sot ka pasur një bisedë telefonike me Komisionerin për Zgjerim të Bashkimit Evropian (BE), Johannes Hahn.
Ai në profilin e tij në Twitter ka shkruar se gjatë kësaj bisede janë diskutuar sipas tij, hapat e ardhshëm në procesin e vendimmarrjes së BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Kam pasur një bisedë telefonike shumë të mirë me komisionarin Johannes Hahn për çështje të rëndësishme në marrëdhëniet BE-Kosovë, duke përfshirë hapat e ardhshëm në procesin e vendimmarrjes së BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën. E informova Komisionerin për gatishmërinë dhe shpresat tona për këtë moment të rëndësishëm”, ka theksuar Thaçi.
Ndryshe, pushteti në Kosovë tash e disa vite kanë deklaruar se vendi do ta marrë liberalizimin e vizave, gjë e cila nuk ka ndodhur.
Madje, kryeministri Haradinaj, kur e kishte marrë timonin e Qeverisë, pati deklaruar se brenda 90 ditësh kosovarët do të udhëtojnë pa viza në zonën Shchengen.
Njëra nga kushtet kryesore për ta marrë liberalizimin e vizave ishte thënë nga zyrtarët e BE-së është kalimi i marrëveshjes se demarkacionit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi, por që disa muaj pas këtij votimi ende nuk dihet se a do të ketë liberalizim të vizave këtë vit.
Ministrja e Integrimeve Evropian, Dhurata Hoxha, javë më parë pati deklaruar se fundi i qershorit, dhe më së largu 11 korriku sipas saj, janë datat kur pritet që Komisioni Evropian ta japë rekomandimin për heqjen e vizave. /Telegrafi/