Site icon Telegrafi

Thaçi: Takimi me Kurtin mund të jetë i pavlerë, pas ndonjë vendim-marrje të papritur që mund të vij për vendin tonë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbajtur një konferencë për medie, gjatë të cilës ka thënë se Kurti e ka përgjegjësi si lider i partisë, por edhe si kryeministër të takohet me presidentin.

Thaçi u shpreh se takimi i tij me Kurtin, mund të jetë i pavlerë nëse do të merret ndonjë vendim i papritur për Kosovën.

“Dua të shpresoj se kryeministri ta gjej kohën për tu takuar, jo pse e ka obligim po përgjegjësi, si lider i partisë dhe si kryeministër aktual, në mënyrë që takimi ynë të mos jetë i pavlerë, në ndonjë vendim marrje të papritur që mund të vjen për vendin tonë dhe qytetarët tonë”, tha Thaçi.

Thaçi ka thënë se pavarësisht ideologjive anti-amerikane të një individi në Kosovë, askush nuk do të mund ta lëkundë popullin e shtetin e Kosovës në rrugëtimin e vet euroatlantik.

Lexo po ashtu Thaçi: Kurti refuzoi takimin, i bëj thirrje të marr vendimet që i takojnë si kryeministër

“Pavarësisht hujeve dhe tekeve apo ideologjive anti-amerikane të një individi në Kosovë, shtetin e Kosovës dhe popullin e Kosovës, askush nuk do të mund ta luhat në rrugëtimin e vet euroatlantik dhe partneritetin e përjetshëm me SHBA-të”, u shpreh presidenti.

Lexo po ashtu Kurti nuk shkon në takimin e thirrur nga presidenti Thaçi

Presidenti i vendit tha se SHBA-ja është i vetmi partner strategjik, që ka qenë afër Kosovës në kohët më të rënda, duke shtuar se as liria e as shtetësia e Kosovës nuk ka kuptim pa partneritetin e SHBA-ve.

“As vet liria, as shteti, as ekzistenca jonë nuk ka kuptim pa partneritetin strategjik me SHBA-në. Jemi dëshmitar se e vetmja alternativë është të jemi pjesë e bashkimit evropian. Jemi po ashtu dëshmitar se të tjerët na kanë lënë në baltë, siç na kanë dëshmuar me mos-liberalizim të vizave,  i vetmi partner strategjik që na ka qëndru afër në kohët më të rënda edhe sot e me besim edhe në të ardhmen, kanë qenë, janë dhe do të mbeten SHBA-të. Ne duhet të prodhojmë argumente pozitive me ia lehtësu SHBA-ve, mbështetjen për Kosovën, e në asnjë rrethanë nuk duhet të prodhojmë argumente për kundërshtarët e Pavarësisë së Kosovës, sepse ky relacion aktual dhe këto mesazhe që vijnë, ky realitet që është krijuar është duartrokitës për akterët anti-pavarësi dhe fërkim i duarve për të gjithë ata që dëshirojnë që Kosova të lëkund këtë raport”, tha Thaçi. /Telegrafi/

 

Exit mobile version