Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë sot para takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Bruksel se shpreson që në javët apo muajt e ardhshëm do të arrihet marrëveshja finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Thaçi këtë deklaratë e bëri të ditur në një konferencë për media ku tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) janë të interesuara në arritjen e një marrëveshje dhe këtë sipas tij e dinë edhe Bashkimi Evropian (BE).
Thaçi u shpreh se mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së Kosova nuk guxon ta humb pasi mund ta paguaj me një çmim të lartë.
“Mbështesim fuqishëm BE-në në procesin e negociatave. SHBA gjithmonë kanë qenë pranë nesh. Edhe këtu në Bruksel e dinë që SHBA-të janë të interesuar për arritjen e një marrëveshje. Shpresoj që në javët apo muajt e ardhshëm do të arrihet zgjidhje finale e marrëveshjes Kosovë-Serbi, e pastaj anëtarësimin e Kosovës në OKB. Këtë mbështetje të BE-së dhe SHBA nuk guxojmë ta humbim, përndryshe mund të paguajmë një çmim të lartë të mosinteresimit ndërkombëtarë. Duhet të tregohemi shtet serioz që merr vendime”, ka thënë Thaçi.
E sa i përket liberalizimit të vizave Thaçi tha se vendimi ka qenë i padrejtë, mirëpo, sipas tij është një proces që nuk mund të ikë.
“Është fundit i vitit, është takim i liderëve të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Shpresoj që do të jetë një bilanc i angazhimeve të vendeve tona… Po ashtu duhet të jetë një zë që rajoni i Ballkanit Perëndimor duhet të integrohet sa më shpejt. Jemi të vetëdijshëm që duhet të zbatojmë të gjitha kriteret. Jemi të vetëdijshëm që vendimi për liberalizimin është i padrejtë. Qeveria e Kosovës kanë qenë dy ditë në Bruksel dhe i kanë bërë të njohura opinionet e tyre, liberalizmi i vizave është diçka që nuk mund të ikë, por për një periudhë kohore varet nga shtetet anëtare”, tha ai.
Ai foli po ashtu edhe për mesazhin e Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump ku tha se mesazhi i SHBA-ve është që të përmbyllim procesin e rëndësishëm me një marrëveshje finale që nënkupton njohje reciproke, Kosovë-Serbi.
“Mesazhi i Trumpit është i SHBA-ve. E vlerësoj lart mbështetjen e Mogherinit. Mesazhi i SHBA-ve që të përmbyllim këtë proces të rëndësishëm me një marrëveshje finale që nënkupton njohje reciproke. Mesazhi i Presidentit Trump për Kosovën mund të krahasohet me mesazhet e Presidentit Bush të vjetrit, ku në vitin 1992 është kërcënuar qartë Millosheviqi…”, ka thënë Thaçi.
Ai po ashtu tha se mesazhet e Trumpit duhet lexuar dhe kuptuar mirë.
“Mesazhet e Trumpit duhet lexuar mirë dhe kuptuar drejtë dhe besoj që do të jenë të mirëseardhura nga qytetarët e Kosovës. Ne nuk kemi aleat më të respektuar e më besnik se SHBA-të. Nuk di kush duhet të flasë për Kosovën nëse nuk flet SHBA. E SHBA-të folën”, u shpreh ai.
Presidenti Thaçi tha se roli i tij në dialog do të jetë kushtetues dhe ligjorë, si dhe siç tha ai e mbështetë ekipin negociator të Kosovës, të miratuar ditë më parë në Kuvendin e Kosovës.
“E mbështes ekipin negociator të Kosovës. Edhe idetë që vijnë nga kryeministri Haradinaj janë të mirëseardhur, po ashtu dhe nga të tjerët. Marrëveshja gjithëpërfshirëse me Serbinë ka kuptim vetëm atëherë kur të ndodhë njohja reciproke. Sa më unik të jemi aq më mirë do të dalim. Sa më të bashkuar aq më mirë do të dalim. Kosova po merr frymë lirshëm. SHBA gjithmonë kanë qenë pranë nesh”, theksoi Presidenti Thaçi.
E sa i përket formimit të Ushtrisë së Kosovës ai tha se është punë e kryer dhe ka marr mbështetje të fuqishme prej shteteve të botës.
“Themelimi i Ushtrisë së Kosovës është punë e kryer, ka mbështetje të fuqishme prej shteteve të botës. Gjatë punimeve të Këshillit të Sigurimit kishte një mbështetje të fuqishme. Ky është një vendim i Kosovës dhe i të zgjedhurve. Tani duhet të fokusohemi në zhvillimin dhe profesionalizimin e Ushtrisë së Kosovës”, potencoi Thaçi.
Ndryshe, sot pritet një takim mes liderëve të Ballkanit Perëndimorë me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini, ku pritet të diskutohet për progresin e bërë gjatë këtij viti dhe për zhvillimet aktuale politike në rajonin tonë. /Telegrafi/