Presidenti i vendit, Hashim Thaçi pas takimit me kryeministrin Avdullah Hoti ka thënë se do të jenë krah për krah me njëri-tjetrin në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
Thaçi ka thënë se nuk janë në garë me njëri-tjetrin dhe se gara është me Serbinë.
Presidenti ka thënë se kjo javë është e rëndësishme për vendin por edhe për Ballkanin Perëndimor.
“Jemi në një javë të rëndësishme për vendin dhe Ballkanin Perëndimor kur pritet hapja e proceseve konkrete edhe nga SHBA-ja, nga ambasadori Grenell e po ashtu edhe paralajmërimi i vizitës së z.Lajçak në Kosovë. Do të punojmë ngushtë më njëri-tjetrin si president dhe kryeministër por edhe me Kuvendin dhe partitë politike pozitë e opozitë që të jemi sa më të përgatitur dhe të jemi më të qarte se çfarë duam të arrijmë, dhe ne duam të arrijmë njohje reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Thaçi, shkruan Telegrafi.
Ai ka thënë se në këtë drejtim gjithçka është e qartë dhe do të respektohet Kushtetua e Kosovës.
Sa i përket vizitës së Miroslav Lajçak dhe ndonjë takimi me të, Thaçi tha se nuk është informuar për agjendën dhe përmbajtjen e vizitës së Lajçak në Kosovë.
“Nuk është koha që më të hapen çështjet teknike apo pretendimet për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Lajçak duhet ta kuptoj se Kosova është e pavarur dhe sovrane, nëse vjen me këtë objektivë dhe këtë qasje se ky proces duhet të përmbyllet me njohje reciproke është shumë i mirëseardhur, çdo qasje tjetër është dështim i plotë i tij në Kosovë dhe vetë BE-së. Lajçak duhet ta kuptojë se parasë gjithash qytetarët e Kosovës kanë nevojë për liberalizim të vizave e jo për fjalime të kota, të thata dhe shterpe”, tha Thaçi.
Thaçi tha se Kosova nuk ka kohë për të humbur me diskutime të thata. /Telegrafi/