Presidenti i vendit, Hashim Thaçi është deklaruar pas takimit që ka pasur me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, duke thënë se pikë e parë e marrëveshjes me Serbinë duhet të jetë njohja reciproke.
Presidenti Thaçi ka thënë se në takim me Lajçakun është biseduar për dialogun Kosovë-Serbi, transmeton Telegrafi.
“Para pak çastesh përfundova një takim me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Bashkëbisedimi ynë ka qenë korrekt, konstruktiv dhe një bisede e hapur dhe miqësore në drejtimin gjetjes së mundësive për arritjen e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë, që do të nënkuptonte njohjen reciproke si dy shtete të pavarura dhe sovrane. Dhe me mundësinë që Kosova të anëtarësohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Thaçi para mediave, përcjell Telegrafi.
Gjatë konferencës, presidenti ka thënë se në tavolinën e diskutimeve duhet të jetë edhe mundësia për njohje reciproke.
“Unë besoj që e ardhmja e vetme e Kosovës është që të jetë pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian dhe në këtë drejtim se BE duhet të lëviz më shpejtë në çështjen e liberalizimit të vizave sepse është vonuar shumë dhe po ndodhë një padrejtësi e madhe për qytetarët e Kosovës. Ka ardhur momenti që Bashkimi Evropian të hedh në tavolinë mundësinë për njohje reciproke dhe duhet të jetë pika e parë e marrëveshjes dhe jo të diskutohet për çështje teknike”, shtoi ai.
Ndryshe, Lajçak është duke qëndruar në një vizitë zyrtare në Kosovë, ku po zhvillon takime me krerët shtetëror dhe liderët politikë. /Telegrafi/