Telegrafi

Thaçi: Kosova ka përmbushur kriteret për viza, por shtetet e BE-së nuk janë unike

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka theksuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave, duke përfshirë edhe luftën kundër krimit e korrupsionit, por sipas tij, vendimmarrja nuk po ndodh për shkak të mos unitetit të shteteve të Bashkimit Evropian.

Thaçi komente i bëri në konferencën vjetore të prokurorëve të Kosovës.

Presidenti ka folur edhe krimet e Serbisë, duke shprehur kritika për amnistinë që po i bëhet për krimet në Kosovë.

“Do të ishte jetike që të kemi një këmbëngulësi më të madhe që të vazhdohet ky proces në mënyrë më dinamike, më gjithëpërfshirëse dhe që të kemi një konkretizim. Këtu nuk mund të mos shpreh shqetësimin që njerëzit nuk janë të kënaqur me drejtësi, ose viktimat kërkojnë drejtësi. Por që a kanë ndodhur lëshime në këtë proces, këtë nuk mund ta mohojë askush. Lëshime edhe në kuptimin edhe të mos efikasitetit në punë, po edhe të një selektimi etnik në drejtësi. Ne jemi dëshmitar se kemi pasur rreth 13 mijë civilë të vrarë në luftë nga shteti i Serbisë, mbi 20 mijë gra të dhunuara nga Serbia, rreth 1 mijë fëmijë të vrarë, mbi 400 masakra të evidentuara”, ka thënë ai.

Thaçi ka theksuar se pikërisht këto dobësi që kanë ndodhur me ose pa qëllim, kanë krijuar një rrethanë  që sipas tij, po e vështirëson pajtimin.

“Për këto krime nuk është dënuar askush. Më tepër janë dënuar shqiptarët, sesa ata që kanë kryer spastrim etnik. Është një shqetësim, edhe drejtësia e UNMIK-ut dhe EULEX-it ka konstatuar se me ata që kanë kryer krime nga Serbia në Kosovë, nuk duhet të merret EULEX-i dhe UNMIK-u në Kosovë, por Serbia, kjo është amnisti. Cili është rezultati nga kjo heshtje ndërkombëtare, tash jo që kemi mohim, por me krenari mohojnë krimin në Kosovë. Jam mirënjohës që shtetet e Quintit kanë reaguar për masakrën e Reçakut”, tha ai.