Site icon Telegrafi

Thaçi dhe Hoti urojnë komunitetin egjiptian në ditën e tyre

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri, Avdullah Hoti, kanë uruar komunitetin egjiptian në ditën e tyre.

Thaçi ka thënë se komuniteti egjiptian kontribuon në mënyrë aktive dhe konstruktive në jetën institucionale dhe shoqërore në Kosovë, transmeton Telegrafi.

“Vendi ynë është shumë i pasur me komunitete dhe harmoninë e krijuar do ta ruajmë e forcojmë edhe më shumë. Institucionet e Kosovës duhet të vazhdojnë të krijojnë kushte sa më gjithëpërfshirëse të integrimit dhe punësimit të të gjithë pjesëtarëve të komuniteteve në shoqërinë tonë”, ka shkruar Thaçi në një postim në Facebook.

Kurse, kryeministri Avdullah Hoti në urimin e tij ka thënë se komuniteti egjiptian është vlerë e shtuar e shoqërisë sonë.

“Me rastin e 24 qershorit, ditës nacionale të egjiptianëve, i uroj të gjithë komunitetin egjiptian! Ata janë pjesë e pandashme dhe vlerë e shtuar e shoqërisë sonë! Komuniteti egjiptian është i përfaqësuar në Qeverinë e Kosovës dhe bashkë me ta, ne do t’i vazhdojmë përpjekjet për realizimin e të drejtave të tyre”. /Telegrafi/

Exit mobile version