Site icon Telegrafi

Thaçi: Brenda vitit përzgjidhet investitori për Brezovicën

Kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi, ka vizituar sot Brezovicën, ku thotë se shumë shpejt do të përfundojë procesi i vlerësimit të ofertës së konzorciumit francez për zonën turistike të Brezovicës.

Përmes një postimi në Facebook, Thaçi ka thënë se brenda këtij viti do të përfundojë procesi i gjetjes së investitorëve. Sipas tij, do të fillojë një fazë e re e zhvillimit ekonomik në këto treva.

“Sot isha në Brezovicë ku tashmë bora e parë ka zbardhur pistat e bukura. Skijatorët dhe popullata e kësaj ane janë të padurueshëm që mali ynë i famshëm të merr pamjen që meriton me investime të reja. Procesi i ofertimit për konzorciumin ka përfunduar para ca javëve dhe ekspertët e USAID-it janë duke e analizuar ofertën e konzorciumit të famshëm francez”, ka shkruar ai.

“Brenda këtij viti do të përfundojë procesi shumëvjeçar i gjetjes së investitorit dhe kështu do të fillon një faqe e re e zhvillimit ekonomik të këtyre trevave. Mbi 200 milionë euro pritet të investohen në zhvillimin e qendrës më të mirë të skijimit në këtë pjesë të Ballkanit”. /Telegrafi/

Exit mobile version