Zonat përreth Korçës në juglindje të Shqipërisë janë lëkundur mbrëmjen e së dielës nga një tërmet që e kishte epiqendrën në Follorinë të Greqisë, me forcë goditëse 5.6 sipas shkallës Rihter.
Si pasojë, disa shtëpi në qytetin e Bilishtit kanë pësuar dëmtime në strukturë.
Banorët e fshatit Shuec tregojnë frikën që kanë përjetuar.
“U trembëm. Kishim frikë, gjithë natën s’kemi fjetur hiç. Tërmet i fuqishëm ishte”, tha një zonjë.
“Hera e parë ishte shumë, shumë e rëndë, dolëm të gjithë jashtë nga shtëpitë. Dolëm jashtë, e dyta ishte më lehtë, më pas vazhduan dridhjet e tjera, por ishin më të lehta. Tërmetin e parë dolëm jashtë, ishte llahtari”, u shpreh një tjetër.
Shtëpia e Shpëtim Çaullit është dëmtuar rëndë, ku ka plasaritje e çarje muresh.
“Çatia ka ikur fare, po ra edhe një herë më zuri brenda ajo çati mua. Çfarë t’i bej unë, ku të ankohem? S’kam aq buxhet ta rregulloj. Përjashta dolëm, mora plakën jashtë”, tha Shpëtim Çaulli.
“Me se ti rregulloj po s’më ndihmoi njeri, nga të përplasem? Asnjë nuk ka ardhur, sot shkova në bashki. Do të vijnë ta shohin thanë. Kur do vijnë, kur të me zërë brenda mua?”, shtoi ai.
“Burri tha do shkojmë të ankohemi në bashki, të shohim mos na ndihmojnë. E gjithë shtëpia, tavanet dhe mbrapa janë shembur. Me bagëtitë rrojmë, mamanë e sëmurë. Me frikë do flemë “, u shpreh Manushaqe Çaulli, bashkëshortja e Shpëtimit.
Një tjetër fshat i prekur nga tërmeti është ai i Mançurishtit, fshat kufitar me Greqinë.
E dëmtuar ka mbetur edhe shtëpia e Shpëtim Brahos.
“Ra tërmeti, ne ishim brenda, vetëm unë isha ngritur se të gjithë flinin gjumë. I nxora jashtë, u gdhimë jashtë. Kishte kërcitje, muret e trarët”, tha Shpëtim Braho.
Nga ana tjetër, kryetari i bashkisë së Devollit, Eduart Duro shprehet se prej mëngjesit të sotëm grupi i emergjencave civile të pushtetit lokal ndodhen në terren për verifikimet e dëmeve. Ai tha se të pritet përfundimi i raportimeve për të parë në rast se kjo bashki mund të përballojë financiarisht restaurimin e dëmeve, apo do të kërkohet ndihmë nga pushteti qendror./Euronews Albania