Site icon Telegrafi

Tërmetet në Kongo shkaktojnë çarje toke, shkatërrojnë ndërtesat – por banorët kanë një frikë tjetër, edhe më të madhe

Një tërmet në kufirin e Kongos dhe Ruandës ka shkatërruar disa ndërtesa në qytetin e Goma të martën dhe nxiti frikën se një vullkan aty pranë do të shpërthente përsëri, tri ditë pasi dhjetëra njerëz gjetën vdekjen dhe 17 fshatra u shkatërruan nga lava.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, tërmeti, i matur në 5.3 ballë nga Monitori Sizmik i Ruandës, ishte më i madhi nga mbi 100 dridhje që kanë pasuar shpërthimin të shtunën të vullkanit të Kongos në malin Nyiragongo, një nga më aktivët dhe më të rrezikshmit në botë.

“Ne e dimë që fëmijët u plagosën kur një ndërtesë u shemb të martën vetëm disa hapa nga zyra e UNICEF në Goma”, ka thënë agjencia e fëmijëve e OKB-së.

Tërmeti duket se shkatërroi disa ndërtesa në qytetin me dy milionë banorë dhe një dëshmitar tha se të paktën tre njerëz u tërhoqën nga rrënojat dhe u dërguan në spital.

Ai goditi në 11:03 të mëngjesit, me origjinë në Rugerero në Ruandën perëndimore, sipas Monitorit Sizmik të Ruandës.

https://www.youtube.com/watch?v=erBOlBFFQSM&t=26s

Qyteti ka përjetuar 119 dridhje të hënën, por intensiteti ka filluar të ulet, tha Kasereka Mahinda, drejtor shkencor në Observatorin e Vullkaneve.

Tërmetet thuhet se u shkaktuan nga pllakat tektonike që kërkonin të rigjenin ekuilibrin e tyre pas shpërthimit, një fenomen i parë pas shpërthimeve në 2002 dhe 1977.

“Sapo çarja të rimarrë ekuilibrin e saj, dridhjet do të ndalen”, i tha ai Reuters.

Siç thuhet më tej, si pasojë, çarje të shumta në tokë janë shfaqur në Goma ditët e fundit, rreth disa qindra metra të gjatë që përshkojnë bulevardet kryesore të qytetit.

“Hapja e këtyre çarjeve në rrugë si kjo është e tmerrshme”, ka thënë Joseph Mapendo, një 32-vjeçar shofer taksie. “Ata duhet të na tregojnë nëse duhet ta evakuojmë qytetin ose nëse mund të qëndrojmë derisa të mbarojnë dridhjet”.

Rreth 1,000 shtëpi u shkatërruan dhe më shumë se 5,000 njerëz u zhvendosën nga shpërthimi, kanë thënë Kombet e Bashkuara.

“Sipas autoriteteve, 32 njerëz kanë vdekur në incidente në lidhje me shpërthimin, duke përfshirë shtatë njerëz të vrarë nga rrjedha e lavës dhe pesë të tjerë të asfiksuar nga gazrat”, tha agjencia e refugjatëve e OKB-së, UNHCR. /Telegrafi/

Exit mobile version