Telegrafi

Terim reagon për kartonin e kuq “të qëllimshëm” të Muriqit: Asnjë lojtar nuk guxon ta bëjë një gjë të tillë te Galatasaray

Vedat Muriqi po vazhdon me paraqitje të mira te skuadra elitare turke, Fenerbahçe, ku ka shënuar 11 gola dhe ka asistuar katër deri tani.

Të njëjtën gjë e bëri edhe gjatë fundjavës, ku shënoi gol dhe asistoi në fitoren e skuadrës së tij kundër Gaziantepit me rezultat 2-0. Prizrenasi u përjashtua nga ndeshja në të 95 minutë pasi mori karton të kuq.

Analistët po e akuzojnë se e ka bërë me qëllim në mënyrë që të pushojë për ndeshjen e kupës dhe më pas të luajë fundjavë kundër Basaksehirit.

Të njëjtën mundësi e kishte edhe Marcao i Galatasarayt, por  nuk kishte vepruar në takimin kundër Denizlisporit.

I pyetur nga gazetarët, trajneri legjendar i “Cim bom bom”, Fatih Terim tregon se pse nuk veproi Marcao sikurse Muriqi, pasi sipas tij ai nuk i detyron lojtarët të skuqen qëllimisht.

“Tek ne nuk ndodh një gjë e tillë. Asnjëherë nuk e kam menduar dhe nuk e kam thënë. Lojtarët e klubeve tjera se si veprojnë, neve nuk na intereson”, ka thënë Terim.

Ka reaguar edhe vetë lojtari i përfaqësueses sonë duke e mohuar kategorikisht se iu kërkua nga klubi që të skuqet

“Asgjë nuk ka të vërtetë. Unë e godita pak topin me qëllim që të vonohet paksa loja. Po të ishte e planifikuar, në momentin e realizimit të golit, do ta hiqja fanellën. Unë vazhdoj të jap kontributin tim në synimin kryesor të ekipit, titullin e kampionit”, tha Muriqi.

Ndryshe, 25-vjeçari me paraqitje të mira ka rënë në sy të shumë skuadrave evropiane duke përfshirë edhe Tottenham Hotspurin e Jose Mourinhos. /Telegrafi/