Telegrafi

Tentoi të grabisë një barnatore dhe një dyqan frutash në Ferizaj, arrestohet 30-vjeçari

Foto: Arkiv

Një 30-vjeçar me inicialet F.B është arrestuar nga Policia e Kosovës, pasi dyshohet për grabitje të mbetur në tentativë në Ferizaj.

Policia njofton se me datën 05.02.2024, në dy raste të ndara në rrugën “Vëllezërit Gërvalla” në Ferizaj në një barnatore dhe në një dyqan frutash, një person i maskuar dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit kishte tentuar të kryejë grabitje të parave, mirëpo këto veprime nuk ka arritur t’i kryejë dhe është larguar në drejtim të panjohur.

“Ekipe të policisë, policët e rendit, hetuesit policorë të mbështetura edhe nga Njësia e Reagimit të Shpejtë ( NJRSH) kanë rrethuar zonën dhe kanë filluar kërkimin e personit të dyshuar, për të dy rastet e grabitjes së mbetur në tentativë, ndërsa janë marrë të gjitha veprimet hetimore rreth ekzaminimit të dy vendeve të ngjarjes nga krimteknikët dhe hetuesit policorë”.

Pas hetimeve, shikimit të kamerave të sigurisë, provave të gjetura (rrobat e tij), të cilat janë përdorur dhe përputhen me ato që kishte tentuar të kryejë grabitjet, hetuesit policorë kanë arritur që të identifikojnë, e më pas kanë arrestuar në shtëpinë e tij, të dyshuarin i cili është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj, konkretisht në sektorin e hetimeve.

“I dyshuari F.B, në prani të avokatit mbrojtës është intervistuar nga policët hetues dhe me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj është ndaluar në mbajtje për 48 orë, për procedura tjera hetimore, ndërsa është i dyshuar edhe për disa vjedhje tjera që janë në procedurë hetimore”, thuhet në komunikatën për media. /Telegrafi/