Telegrafi

“Tentativa” e arratisjes së At Zef Pllumit

Lexo po ashtu Zef Pllumi dhe librat e kujtimeve

Nga: Kastriot Dervishi

“50-vjetori i arrestimit të dytë

At Zef Pllumi dhe vigjilenca e “njeriut të ri”

Në Shqipërinë komuniste nuk ishin vetëm njerëzit e regjimit keqbërës. Propaganda krijoi “njeriun e ri”, shërbëtorin më të verbër ndaj atij sistemi. “Njeriu i ri” i droguar nga ideologjia komuniste, përkundrejt një teneqeje dekoratë, apo fletëlavdërimi, kujtonte se duke i bërë keq tjetrit i shërbente atdheut.

Historia që po tregoj është e vitit 1967, kohën kur Shqipëria komuniste mbylli institucionet fetare dhe goditi gjithë klerin e vendit. Njëri prej këtyre klerikëve, Zef Pllumi, duke mos e duruar dot atë gjendje, provoi të arratisej nga Shqipëria nëpërmjet kufirit tokësor në Rrethin e Shkodrës.

U nis i vetëm drejt kufirit. Mori drejtimin e Qafës së Pejës. Arriti t’i shpëtojë syrit të rojeve kufitare të postës së Thethit, por jo syrit të “njeriut të ri”. Në bjeshkët e Nikçit “njeriu i ri”, vigjilonte. tetë punonjës të ndërmarrjes së pyjeve e pikasën dhe kërkuan dokumentin që duhej për të qarkulluar në ato zona. Ata dyshuan dhe e shoqëruan.

Procesverbali “për kapjen e personit të dyshimtë Zef Gjeto Pllumi” u hartua nga kryetari i këshillit popullor të zonës, tekniku i pyjeve, kryetari i kooperativës Nikç dhe sekretari i organizatës bazë të partisë. Tekniku i pyjeve (i fotos), i përkushtuar deri në fund për realizimin e poshtërisë së tij, me dy punëtorë dhe dy pushkatarë e dërgoi At Zefin në Tamarë, pikërisht atje ku do ta merrnin njerëzit e specializuar të regjimit, të cilët do t’i jepnin dënimin e dytë me 25 vjet burgim.

At Zef Pllumi u burgos dy herë nga regjimi komunist në periudhat: 15.10.1946-15.10.1949 dhe 27.9.1967-11.4.1989. Kësisoj qëndroi 25 vjet i burgosur”.

Fotoja që bashkëlidhet tregon çastin e ndalimit të At Zef Pllumit më 27 shtator 1967. Tekniku me emrin Marash në emër të “njeriut të ri” bën ndalimin në kufi”.

Lexo po ashtu Zef Pllumi për Ibrahim Rugovën: Ishte ma i dijuni, e ma i urti i të gjithve