Site icon Telegrafi

Tensionet në Kuvend, Bardhi: Edhe mund të ngujohemi

Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka dhënë një deklaratë për gazetarët e pranishëm jashtë sallës së seancave plenare. Teksa foli për atë që ndodhi në sallën e Parlamentit sot, Bardhi tha se ndjen keqardhje që një pjesë e deputetëve demokratë iu përgjigjën pozitivisht thirrjes së Grupit Parlamentar të PS-së për t’u paraqitur në seancë.

Ai shtoi se Parlamenti nuk do të jetë funksional deri sa të garantohet e drejta e opozitës dhe Parlamentit t’i rikthehet funksionaliteti. Ndërkohë, ai nuk përjashtoi as një ngujim të opozitës, si një nga opsionet që ka ajo për t’u përballur me atë që po ndodh aktualisht në Kuvend.

“Grupi Parlamentar i PS-së kishte shpërndarë një mesazh që deputetët e mazhorancës duhet të paraqiteshin në seancë në orën 09:00 dhe ndjej keqardhje që një pjesë e grupit parlamentar të Partisë Demokratike i është përgjigjur pozitivisht kësaj kërkese.

Lexo po ashtu 50 milionë dollarë për Kosovën, deputetët e PS-së rrëzojnë propozimin e Lulzim Bashës

Ne duam që parlamenti të jetë funksional, po e bëjmë këtë betejë që parlamenti t’i rikthehet funksionalitetit të tij. Ne kemi katër muaj që rezistojmë dhe do të vazhdojmë të rezistojmë deri sa kërkesat tona të përmbushen.

Nuk është sekret tashmë që grupi parlamentar i PD-së ka diskutuar mbi të gjitha opsionet e mundshme, ku secili anëtar është shfaqur i gatshëm të ndërmarrë çdo lloj nisme, duke përfshirë edhe ngujimin.

Reforma Zgjedhore është interes madhor i qytetarëve shqiptarë, në mënyrë që vitin e ardhshëm vendi të ketë zgjedhje të lira e të ndershme. Sa kohë është PS-ja në krye të vendit, nuk ka pasur asnjë reformë zgjedhore”, u shpreh ndër të tjera në prononcimin e tij për gazetarët Gazment Bardhi. /Telegrafi/

Exit mobile version