Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një konferencë për shtyp, paralajmëroi udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë se po rrezikojnë “një përplasje fatale të armatosur mes grupeve që operojnë në veriun e Kosovës dhe forcave të sigurisë, çka do të ishte një katastrofë, në mes të cilës do të përfshihej pastaj edhe KFOR-i”.
Ai tha në një konferencë më gazetarët, Rama tha se degradimi i situatës në veri, si rezultat i përplasjes së vazhdueshme të politikave të brendshme të dy udhëheqësve, të Kosovës dhe Serbisë, po e rrit me orë klimën e tensionit, duke rrezikuar seriozisht një përplasje fatale të armatosur mes grupeve që operojnë në veriun e Kosovës dhe forcave të sigurisë”.
Ai tha që kjo “do të ishte një katastrofë, në mes të cilës do të përfshihej pastaj edhe KFOR-i. Edhe sikur 3 orë të zgjaste kjo përplasje, do të rezultonte fatale edhe për gjithë çka është bërë këto vite, me nisma dhe ndërveprime në Ballkanin Perëndimor, nën ombrellën e Procesit të Berlinit. Një kthim mbrapa dramatik për krejt rajonin”, tha Rama.
Kreu i qeverisë sonë përsëriti se pa lirimin e tre policëve të Kosovës, “nuk ka mundësi për përparim në dialog”.
“As normalitet në marrëdhëniet Shqipëri-Serbi nuk mund të ketë pa lirimin e tyre. Ata nuk kanë kryer asnjë krim, por edhe nëse e kanë kaluar vijën e kufirit, dihet botërisht që për kalim të paligjshëm të kufirit, njerëzit arrestohen, pyeten dhe kthehen mbrapsht. Mbajtja e tyre me ditë të tëra në burg është e pajustifikueshme”, theksoi Rama.
“Nëse Serbia ka pretendime për arrestimet e pjesëtarëve të minoritetit serb në Kosovë, këto nuk argumentohen duke mbajtur peng 3 policë shqiptarë, por duke bashkëpunuar me faktorin ndërkombëtar”, shtoi kryeministri.
Sipas tij, nga përplasja Kosovë-Serbi ka vetëm një fitues: Rusia. /Telegrafi/