Site icon Telegrafi

Tensionet gjeopolitike frenojnë turizmin në Ballkan

Tensionet gjeopolitike në rajon kanë prekur dhe frenuar turizmin shqiptar. Kështu konstaton Organizata Botërore e Turizmit, përfaqësues të së cilës kanë qenë sot në Tiranë për të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare me temën: Menaxhimi i Sezonalitetit në Turizëm.

Ndërsa, u ndal te Shqipëria, sekretari i përgjithshëm i OBT-së, Taleb Rifai, tha se pavarësisht tensioneve gjeopolitike, turizmi në Shqipëri ka njohur rritje, çka e dëshmojnë këtë edhe shifrat e raportuara. Sipas OBT-së, mbi tre milionë turistë të huaj e kanë vizituar Shqipërinë në gjysmën e parë të 2014-ës duke konstatuar një rritje prej 26 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në vitin 2013 turizmi ka kontribuar në ekonominë e Shqipërisë me 1. 2 miliard euro. Megjithatë, duke iu rikthyer temës së konferencës, Rifai tha se duhet luftuar sezonaliteti për më shumë turistë (turizmi sezonal), pasi Shqipëria i ka të gjithë mundësitë për të pasur turizëm gjithëvjetor dhe jo vetëm në tre muaj vere.

Ministrja e Turizmit, Eglantina Gjermeni, tha se një ndër politikat primare të qeverisë Rama në fushën e turizmit është forcimi i partneritetit me vendet e tjera të rajonit, për të zhvilluar një turizëm të përbashkët, që do të kontribuojë në rritjen ekonomike të secilit shtet në Ballkan.

Exit mobile version