Telegrafi

Tensione brenda kabinetit ushtarak të Izraelit, çfarë fshehu Netanyahu për qëllimet ushtarake në Rripin e Gazës?

Një anëtar kyç i kabinetit ushtarak në Izrael ka akuzuar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu se nuk ka thënë të vërtetën për qëllimet ushtarake të vendit në Rripin e Gazës.

Netanyahu ka hedhur poshtë publikisht shtytjen e SHBA-së për një shtet të ardhshëm palestinez dhe këmbënguli se ofensiva do të vazhdojë “deri në fitoren e plotë”, transmeton Telegrafi.

Por, Gadi Eisenkot – djali i të cilit u vra duke luftuar në Gaza – tha se ata që mbrojnë “mposhtjen absolute” të Hamasit nuk po e “thonin të vërtetën”.

Lexo po ashtu Shokon Borrell: Izraeli financoi krijimin e grupit Hamas

Gjenerali në pension deklaroi gjithashtu se Netanyahu ndante “përgjegjësinë e mprehtë dhe të qartë” për dështimin në mbrojtjen e vendit të tij më 7 tetor dhe kërkoi zgjedhje të reja, duke thënë se nuk kishte “asnjë besim” në udhëheqjen aktuale të Izraelit.

Hamasi vrau rreth 1,300 njerëz dhe mori 240 pengje në sulmin e befasishëm në Izraelin jugor më 7 tetor.

Lexo po ashtu SHBA-ja reagon pasi Netanyahu tha se është kundër themelimit të shtetit palestinez

Tensionet brenda kabinetit nga ku Netanyahu dhe ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant mezi flasin mes vete, vijnë pasi hendeku midis Izraelit dhe aleatëve të tij perëndimorë zgjerohet.

Pas komenteve Netanyahu për mos-krijimin e shtetit palestinez, këshilltari i sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby tha se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli “qartësisht i shohin gjërat ndryshe”. /Telegrafi/