Tenistja numër një e Rusisë, Anastasia Pavlyuchenkova i ka bërë thirrje kombit të saj që të “ndalojë dhunën, të ndalojë luftën” në mes të pushtimit të vazhdueshëm të Ukrainës.
Ndërsa sanksionet ndaj kombit të Vladimir Putin kanë ardhur nga bota e biznesit, BE e NATO edhe bota e sportit gjithashtu ka kundërshtuar aktet e agresionit me refuzimin për t’u përballur me Rusinë ose ekipet e saj.
Tani një numër i madh i sportistëve nga Rusia kanë marrë gjithashtu iniciativa përmes mediave sociale dhe konferencat për shtyp për të sinjalizuar tmerrin që po përjetojnë ndaj veprimeve të kombit të tyre, me Pavlyuchenkova që ndjek yjet e tjerë të tenisit si Andrey Rublev dhe Daniil Medvedev dhe sulmuesin ndërkombëtar të futbollit Fyodor Smolov.
Pavlyuchenkova është rusja më e mirë në teke për femra dhe renditet e 14-ta në botë – ndërsa në dyshe të përziera ajo fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike Tokio 2020 verën e kaluar, së bashku me Rublev që përfaqësonte Komitetin Olimpik Rus, me Rusinë të ndaluar të garonte si komb.
“Kam luajtur tenis që kur isha fëmijë. Gjithë jetën e kam përfaqësuar Rusinë. Kjo është shtëpia dhe vendi im. Por, tani jam në frikë të plotë, ashtu si miqtë dhe familja ime”, shkroi ajo në Twitter.
“Por, unë nuk kam frikë të deklaroj qartë pozicionin tim. Unë jam kundër luftës dhe dhunës. Ambiciet personale apo motivet politike nuk mund të justifikojnë dhunën. Kjo e merr të ardhmen jo vetëm nga ne, por edhe nga fëmijët tanë. Jam konfuze dhe nuk di si të ndihmoj në këtë situatë”.
“Unë jam thjesht një sportiste që luan tenis. Unë nuk jam politikan, as personazh publik, nuk kam përvojë në këtë. Unë vetëm mund të mos pajtohem publikisht me këto vendime të marra dhe të flas hapur për këtë. Stop dhunës, ndaloni luftën”, thuhet në reagimin e saj.
Javën e kaluar Rublev shkroi “Jo luftë të lutem” në një objektiv kamerash pasi fitoi ndeshjen e tij në Dubai, në rrugë për të marrë titullin. /Telegrafi/
https://twitter.com/NastiaPav/status/1498269581445632007