Site icon Telegrafi

Tenderët e shtetit mund të fitohen edhe nga ndërmarrjet e vogla e OJQ-të (Video)

Tenderët e shpallur nga institucionet e Kosovës shumë shpejt do të mund të fitohen edhe nga ndërmarrjet e vogla dhe organizatat e shoqërisë civile.

Kjo pasi që, siç ka njoftuar Ministri i Financave, Avdullah Hoti, nga 1 janari i 2016-s në të gjitha institucionet kosovare do të aplikohet forma elektronike e prokurimit.

Sipas tij, kjo mënyrë e prokurimit do t’i ulë shpenzimet e prokurimit për 30 për qind si dhe do të kursejë rreth 80 milionë euro.

Hoti është ankuar për bllokimin e Kuvendit të Kosovës, pasi që siç ka thënë ai, kjo po e zvarrit ratifikimin e 4 marrëveshjeve ndërkombëtare të ministrisë së tij.

Ndërkaq, i pyetur për mundësinë e rritjes së pensioneve, ministri Hoti ka thënë se kjo rritje po synohet të bëhet nga shkurtimet e listave të pensionistëve, duke hequr nga to ata që marrin pensione edhe nga shtetet e tjera.

Ditë më parë, ministri i Punës, Arban Abrashi, kishte pohuar se do të ketë rritje të pensioneve për 100 euro.

Por kur kihet parasysh deklarata e ministrit Hoti se kjo rritje po synohet të bëhet brenda të njëjtës skemë buxhetore, nëpërmes kursimeve nga shkurtimi i listave të pensionistëve, çfarëdo rritje eventuale duket e vështirë të mund të kapë shifrën e 100 eurove.

Exit mobile version