Trajneri gjerman Jurgen Klopp do të largohet nga Liverpool në fund të sezonit, klub me të cilin ka fituar tetë trofe që nga viti 2015.
Një nga trajnerët më të mirë në historinë e gjigantëve anglezë e shpjegoi vendimin e tij me mungesën e energjisë dhe do të largohet nga bankina një vit para përfundimit të kontratës.
Agjenti i Klopp, Marc Kosicke, duke folur për Sky Sports në fund të shkurtit tha se Klopp nuk planifikon të shkojë në Bayern Munich ose në Kombëtaren e Gjermanisë sezonin e ardhshëm, të cilët mendohet se e duan si trajner.
“Plani është që ai të mos jetë trajner i asnjë ekipi kombëtar apo klubi për të paktën një vit. Kjo mbetet e pandryshuar”, kishte thënë Kosicke.
Klopp planifikon të marrë një vit pushim përpara se të marrë një punë të re. Daily Mail shkruan se televizionet britanike BBC dhe ITV u përpoqën të përfitojnë nga pauza e Klopp dhe ta marrin si ekspert për Kampionatin Evropian, i cili do të mbahet në Gjermani në qershor dhe korrik.
Megjithatë, i njëjti burim thekson se Klopp do t’i refuzojë sepse planifikon të shkojë në Euro ekskluzivisht si tifoz i kombëtares gjermane.
Gjithashtu, Daily Mail pohon se tashmë ka bileta për tre ndeshje për Gjermaninë, e cila në grupin A do të luajë me Skocinë, Hungarinë dhe Zvicrën.
Po ashtu Klopp do të merret me çështje private një vit pas largimit nga Liverpooli. Ai dëshiron të ndërtojë një shtëpi në Mallorca, vendi i tij i preferuar për pushime. Ai gjithashtu dëshiron të ndërtojë një shtëpi në Ëiesbaden pranë Frankfurtit, ku synon të jetojë me gruan e tij Ulla. /Telegrafi/