Site icon Telegrafi

“Tech Park Prishtina” bëhet realitet, dritare e re për inovacionin

Në zemër të Kosovës, në Prishtinë, në një ambient të ngrohtë e miqësor ku të pranishëm ishin shumë figura publike, shtetërore – të enjten u inaugurua “Tech Park Prishtina”.

Kjo qendër për zhvillimin e teknologjisë synon të ndikojë drejtpërdrejt në kompanitë e TIK-ut, startup-et e maturuara, profesionistët dhe studentët e TIK-ut. Ky objekt me mbi katër mijë metra katrorë, është investim i Ministrisë së Ekonomisë.

Lexo po ashtu "Zbuloni botën e re të Inovacionit” - Tech Park Prishtina, hapja zyrtare më 12 tetor, Çavolli jep detajet

I pranishëm në ceremoninë e inaugurimit ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se investimi nga ana e Qeverisë së Kosovës ka mundësuar transformimin e ndërtesës në një hapësirë moderne e ambient mbreslënës dedikuar për zhvillimin e teknologjisë dixhitale.

“Investimi në këtë park teknologjik tregon përkushtimin tonë për zhvillimin e teknologjisë dhe inovacionit”, u shpreh ai.

Kryeministri tutje tha se parku i teknologjisë dixhitale duhet të jetë vendi ku talenti lulëzon, ëndrrat marrin formë dhe mundësitë hapen.

E ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli u shpreh se më në fund u realizua kërkesa e sektorit të TIK-ut për një objekt modern për të punuar.

Sipas saj, ekonomia dixhitale është perspektiva më premtuese për zhvillim të hovshëm ekonomik të Kosovës.

“Jo rastësisht sektori i TIK-ut është ndër eksportuesit më të mëdhenj në vendin tonë e me cilësi të tillë e bën Kosovën konkurruese jo vetëm në rajon, por edhe në tërë Evropën dhe më gjerë”.

Fjalën në këtë ceremoni e mori edhe ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari, e cila tha se zhvillimi i inovacionit është një nga prioritetet kyçe të dikasterit që udhëheqë.

“Nga ‘Tech Park Prishtina’ presim që të jetë një nga shtytësit kryesor të zhvillimit dhe transformimit të industrisë tonë nëpërmjet zhvillimit të inovacionit dhe ndërmarrësisë”.

Ndërsa përfaqësuesja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, tha se është e kënaqur që po përkrahin rininë e Kosovës dhe për këtë ajo tha se Bashkimi Evropian po investon në projekte të ndryshme të hulumtimeve teknologjike.

Ajo mes tjerash shtoi se sa i përket kësaj iniciative, BE-ja do të vazhdojnë të përkrah dhe të krijojë trajnime të ndryshme për Kosovën.

E drejtoresha ekzekutive e STIKK-ut, Vjollca Çavolli, falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuuar në realizimin e këtij projekti.

“Kemi pasur shumë sfida për ta përfunduar këtë projekt, por për fat të mirë sot jemi këtu në fazën finale dhe jam e lumtur që jam këtu për t’i falënderuar më së shumti tatimpaguesit kosovarë sepse mjetet e tyre nuk do të shkojnë dëm”, tha ajo. /Telegrafi/

Exit mobile version