Një person është arrestuar në Istog, nën dyshimin se ka kryer veprat penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, ngjarja ka ndodhur më 7 janar 2025, rreth orës 10:00, kur disa persona ishin duke festuar Krishtlindjet Ortodokse në fshatin Cerkolez të Istogut dhe duke shtënë me armë.
“Njësitet relevante të Stacionit Policor në Istog kanë identifikuar të dyshuarin, i cili kishte shtënë me armë,” thuhet në njoftimin e policisë.
Gjatë intervistimit, i dyshuari ka pranuar se kishte edhe armë të tjera në shtëpi.
Pas koordinimit me Prokurorin e Shtetit, gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, janë sekuestruar disa armë: një armë pistoletë CZ 75B, dy karikatorë të po të njëjtës armë, një pushkë gjysmë automatike M57 7.62mm dhe një pushkë gjuetie.
“Pas procedurave të hetimit dhe sekuestrimit të armëve, i dyshuari është arrestuar dhe po mbahet në qendër të paraburgimit,” njofton Policia e Kosovës. /Telegrafi/