Një person i moshës 31 vjeçare është plagosur sonte me armë zjarri në Pejë, por i njëjti është jashtë rrezikut për jetën.
Rastin e ka ka konfirmuar Xhevat Ibra, zëdhënës i Policisë për rajonin e Pejës, i cili ka thënë se plagosja ka ndodhur në orët e mbrëmjes në Rrugën “Xhevat Begolli”.
“Kemi pranuar informacion fillestar se në Spitalin Rajonal të Pejës është dërguar në person i plagosur nga arma e zjarrit. Ju kemi përgjigjur rastit në spital menjëherë dhe paralel kemi shtrirë hetimet në vendin e ngjarjes”, tha Ibra, për “RADIO 1”.
Ibra ka deklaruar se viktima është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa një operacion policor po zhvillohet edhe në këto orë për kapjen e autorit, ose autorëve.
“Të dhëna shtesë tani për tani mund të dëmtojnë operacionin”, ka deklaruar Ibra.
Ai ka deklaruar se i plagosuri është shqiptar-kosovar, i lindur në vitin 1988.
Sipas informatave, që ka siguruar policia nga qytetarët viktima dyshohet se është plagosur nga të shtënat që kanë ardhur nga një veturë. /Telegrafi/