Site icon Telegrafi

Të rinjtë nuk kanë çfarë të shpresojnë!

Nga: Yasmin Rufo / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

Për novelistin Hanif Kureishi, gjithë rritja në vitet 1970 ishte e mbushur me shpresë dhe optimizëm – ndjenja të dokumentuara mirë në romanin e tij gjysmë-autobiografik, Buda i periferisë [The Buddha of Suburbia].

Tani, mbi 30 vjet pas botimit të librit të tij, Buda i periferisë po përshtatet për skenën teatrale dhe Kureishi, së bashku me regjisoren Emma Rice, kanë reflektuar për një nga temat kryesore të librit.

“Ishte ndjenja se mund të bëje gjithçka ose të jesh kushdo”, thotë 69-vjeçari Kureishi, teksa mendon për fëmijërinë e vet. “Racizmi ishte padyshim më i dukshëm sesa sot, por ende ishte ajo ndjenja e optimizmit – në fakt ishte epoka e fundit kur njerëzit shpresonin për të ardhmen”.

Kureishi fitoi famë për herë të parë në vitin 1985, kur skenari i tij Lavanderia ime e bukur [My Beautiful Laundrette] – për marrëdhënien midis një djali britanik pakistanez dhe të dashurit të tij të bardhë – u nominua për një çmim Bafta dhe për një çmim Oscar.

Kur mendon se sa e ndryshme ishte fëmijëria e tij nga ajo e djemve të tij, thotë se është “e trishtueshme që të rinjtë nuk kanë më shpresë”.

“Shpresa nuk është ëndërr boshe, kjo do të thotë se në botë ekziston mundësia se ajo që dëshiron mund të ndodhë, dhe fëmijët e mi nuk mendojnë se do të jenë në gjendje të blejnë shtëpi ose të gjejnë punë fitimprurëse”, shpjegon ai.

Dëshpërimi i njerëzve për shpresë është ajo që e shtyu Ema Ricein të sillte në skenë Budën e periferisë. “Shfaqja jonë ua jep njerëzve atë shpresë, tregon se ne të gjithë mund të jetojmë së bashku dhe të jemi të lumtur”.

Buda i periferisë është vendosur në vitet 1970 dhe tregon historinë e 17-vjeçarit Karim i cili, në sfondin e dimrit të pakënaqësisë, është i detyruar të shpëtojë nga periferia për t’u zhytur në mundësitë emocionuese që ofron Londra.

I botuar për herë të parë në vitin 1990, e fitoi çmimin “Whitbread” për librin e vitit dhe tre vjet më vonë u adaptua nga BBC për një seri televizive me katër episode.

Tani është duke u realizuar për skenë nga Trupa Mbretërore e Shekspirit dhe do të shfaqet për gjashtë javë në Stretford në Ejvon.

Për Ricein, shfaqja ka të bëjë me eksplorimin e familjes, miqve, seksit, teatrit dhe përkatësisë.

Është gjithashtu një “shënim i viteve 1970, veçanërisht i muzikës dhe modës”, kështu që mjedisi nuk është modernizuar.

Ruajtja e muzikës origjinale, modës dhe historisë të vendosur shumë dekada më parë, mund të përcillet me rrezikun që të ndihet e vjetruar.

Vitin e kaluar u dha version filmik i romanit klasik të Judy Blumeit, Zot, a Je aty? Jam unë, Margarita [Are You There God? It’s Me, Margaret].

Botuar fillimisht në vitet 1970, rrëfimi që flet për një vajzë në prag të adoleshencës, e cila është në ankth për pubertetin dhe moshën madhore, u prit me komente të ndryshme – një përmbledhje me tre yje nga Peter Bradshaw në The Guardian tha se “ndihet paksa i vjetruar” dhe se “luhet si një pjesë historike e viteve 1970, në vend që të përditësohet për botën moderne”.

Por, as Kureishi dhe as Rica nuk janë të shqetësuar për këtë.

“Nuk jam i interesuar të jem i rëndësishëm sot”, thotë Kureishi, por pranon se rrëfimi ka ende rëndësi kulturore për audiencën e sotme dhe se ka gjasa të tërheq të rinjtë.

“Ka pasur gjithmonë një luftë për ta nxjerr teatrin nga getoja e klasës së mesme, por me të vërtetë mendoj se të rinjtë do të jenë të interesuar të kuptojnë se si shoqëria jonë arriti këtu ku jemi sot”, thotë Kureishi. “Dhe, duhet të kujtojmë se vitet 1970 ishin pikë kthese në historinë britanike të pasluftës – tregon rrënjët dhe fillimet e gjërave në të cilat po jetojmë tani, si emigracioni dhe familjet e fragmentuara”.

Rice, e cila më parë ishte drejtoreshë artistike e Globit të Shekspirit, shpjegon se ka gjithashtu shumë paralele politike midis viteve 1970 dhe ditëve të sotme.

“Ashtu si në vitin 1979, jemi në prag të zgjedhjeve të përgjithshme dhe jemi potencialisht në prag të ndryshimit masiv”, thotë ajo, ndërsa Kureishi shton se ndjen se vendi tash është në “gjendje më të dëshpëruar dhe më të keqe sesa në vitet 1970”.

Kureishi dhe Rice kanë punuar së bashku për këtë shfaqje për disa muaj, dhe kjo për Kureishin është veçanërisht e veçantë. Romancieri pësoi lëndimet që ia ndryshuan jetën kur ra kokë në ditën e dytë të Krishtlindjeve më 2022. Pasi nuk mund të përdorte krahët dhe këmbët, Kureishi u trajtua në pesë spitale dhe ky është projekti i parë i madh i shkrimtarit të vlerësuar me disa çmime.

Dyshja flasin pothuajse çdo ditë, por për shkak të gjendjes së Kureishit, ai nuk mund të ndjek personalisht provat apo shfaqjet, ndaj i shikon përmes transmetimit të drejtpërdrejtë.

“Jam i lumtur që mori librin për të bërë çfarë të dojë”, thotë Kureishi për Ricein. “Por, e kam paralajmëruar të mos e ngatërrojë”, shton ai me shaka.

Rice, 57 vjeçe, i thotë Kureishit se ai është “heroi” i saj; thotë se gjëja e bukur në marrëdhënien e tyre të punës është “se rrjeta e gjatë e miqësive njerëzore që eksploron libri, me të vërtetë vazhdon në jetën reale”.

Duke folur për gjendjen e vet, Kureishi nuk e zbukuron realitetin që po kalon.

“Vuajtjet janë absolutisht të mëdha dhe nuk mbarojnë kurrë, por janë disa avantazhe të kësaj traume”, thotë Kureishi.

Gjëja më pozitive që vjen nga rënia e tij është marrëdhënia e tij më e thellë me djemtë e vet.

“Kam filluar të shkruaj në një mënyrë të re – ua diktoj fjalitë djemve të mi dhe më pas i rishkruajmë së bashku”, shpjegon ai.

Kureishi, i cili po punon për një libër të ri për rënien dhe pasojat e saj, thotë se kurrë nuk e kishte menduar se do të mund të shkruante me dikë tjetër, porse i është dashur të përshtatet.

“Gjëja më e mirë është se tani mund t’i shoh djemtë e mi për çdo ditë – përpara të gjithë bënim jetë të ndara dhe takoheshim herë pas here për një birrë. Tani, bashkëpunimi ynë ka intensitet; kur shkruan je i papërpunuar dhe i ekspozuar dhe unë dhe djemtë e mi duhet të mësohemi me këtë. Po mësojmë më shumë për njëri-tjetrin, për çdo ditë”.

Pavarësisht nga ndikimi shkatërrues fizik dhe emocional i aksidentit, duket se një pjesë e optimizmit dhe shpresës që ndien protagonisti Karim, ka filluar të bie mbi të.

“Emma dhe unë flasim se sa me fat ndihemi – me fat që po e bëjmë këtë shfaqje së bashku dhe gjithashtu me fat që jemi këtu në këtë planet”. /Telegrafi/

Exit mobile version