Këshilli drejtues i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës së Kosovës (SBASHK) pas diskutimeve të shumta e duke përcjellë zërin e të punësuarve në arsim, kanë autorizuar kryetarin e SBASHK-ut dhe kryesinë që në koordinim me Federatën e Sindikatës së Shëndetësisë dhe atë të Policisë të nisin bashkërisht me veprime sindikale.
Duke u bazuar në këtë dhe në koordinim të plotë me këto dy federata, të premten (13.12.2019) mbahet grevë dyorëshe paralajmëruese në çerdhe, në universitete dhe në të dy ndërrimet e mësimit në të gjitha shkollat e Kosovës me kërkesën drejtuar institucioneve që të punësuarit në arsim dhe gjithë të tjerët pagën e dhjetorit ta marrin bazuar në Ligjin e Pagave.
“Greva dyorëshe në çerdhe fillon nga ora 6:30 deri në orën 8:30, greva në universitete fillon në orën 8:00 deri në orën 10:00 dhe greva në shkollat e Kosovës mbahet në dy orët e para në të dy ndërrimet”, thuhet në njoftimin e SBASHK, përcjell Telegrafi.
Në fund, SBASHK thotë se greva dyorëshe në arsim është alarmi i fundit dhe kushdo që punon për të zhgënjyer punëtorët e arsimit, shëndetësisë dhe të policisë së Kosovës duhet ta di se do të përballet me reagimet shumë më radikale sindikale. /Telegrafi/