Telegrafi

Të paktën tre ukrainas të vrarë në sulmet e fundit ruse gjatë Krishtlindjeve ortodokse

Sulmet ruse kanë vazhduar në të gjithë Ukrainën, pavarësisht nga një armëpushim 36-orësh i shpallur nga Moska gjatë periudhës së Krishtlindjeve Ortodokse.

Autoritetet ukrainase thanë se Rusia ka vazhduar të “terrorizojë” civilët, me të paktën tre të vrarë dhe 14 të plagosur.

Sulmet janë regjistruar në të paktën gjashtë rajone në 24 orët e fundit, raporton skynews.

Këto përfshijnë sulme në Kherson, ku guvernatori Yaroslav Yanushevych tha se një punonjës i urgjencës u vra dhe shtatë civilë u plagosën.

Në rajonin lindor të Donetskut, dy civilë u vranë në Bakhmut dhe në qytetin e afërt të Krasna Hora. Shtatë të tjerë u plagosën.

Sulme u vunë re gjithashtu në Kharkiv, Sumy, Mykolaiv dhe Zaporizhzhia.

Në këtë të fundit, dyshohet se janë goditur 16 vendbanime, duke dëmtuar ndërtesa dhe zona të infrastrukturës kritike.

Ndryshe, Putin kishte urdhëruar ndërprerjen e sulmeve në Ukrainë për 36 orë, përkatësisht më 6 dhe 7 janar, kur populli rus dhe ukrainas festojnë kryesisht Krishtlindjet. /Telegrafi/