Telegrafi

Të mërkurën zhvillohen duele të forta në kuadër të xhiros së shtatë në Superligën e Kosovës në futboll

Tri ndeshje të Superligës së Kosovës në futboll janë në orar për sot (e mërkurë), në kuadër të xhiros së shtatë të elitës së futbollit tonë.

Padyshim që takimi që zhvillohet në Suharekë ndërmjet liderit Ballkani dhe kampionit Drita, është kryendeshja e kësaj xhiroje.

Nga gjashtë ndeshje të zhvilluara, skuadra e Ismet Munishit ka regjistruar pesë fitore dhe një barazim dhe prin me 16 pikë në krye të tabelës. Ndërkohë, ekipi i Ardian Nuhiut i ka zhvilluar vetëm katër ndeshje dhe nga to, tri i ka fituar dhe një e ka barazuar.

Renditja aktuale në tabelë (Foto: ffk-kosova.com)

Tjetër përballje e rëndësishme është ajo ndërmjet Feronikelit dhe Prishtinës në Drenas. Nikoqiri nuk e ka filluar mirë sezonin pasi nga gjashtë ndeshje ka arkëtuar gjashtë pikë (një fitore, tri barazime dhe dy humbje), derisa kryeqytetasit i kanë tetë pikë nga pesë sfida të zhvilluara (dy fitore, dy barazime dhe një humbje).

Takimi i tretë i të mërkurës zhvillohet në qytetin e Gjilanit, ku nikoqiri luan përballë Trepçës ’89. Dy fitore, tri barazime dhe një humbje (nëntë pikë) është bilanci i Gjilanit, kurse mitrovicasit i kanë fituar dy ndeshje, një e kanë barazuar dhe tri i kanë humbur (shtatë pikë).

Të gjitha takimet e ditës së sotme (e mërkurë) në Superligën e Kosovës në futboll fillojnë në orën 14:00. /Telegrafi/

Xhiroja e shtatë (Foto: ffk-kosova.com)