Telegrafi

A do të kthehej Vjosa Osmani në LDK si kryetare? Peci thotë se ajo do të jetë për pesë vite presidente

Peci thotë se Osmani do të bëhet presidente, e që më pas s’mund të jetë kryetare e një partie.

Kandidati i iniciativës “Guxo” në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci ka thënë në “Debat Plus” se Vjosa Osmani ka një partneritet katërvjeçar me LVV-në dhe se do ta respektojë atë.

I pyetur nëse Vjosa do të kthehet në LDK pas dorëheqjes se Isa Mustafës dhe Kryesisë së LDK-së, Peci është përgjigjur:

“Ne bashkë me Vetëvendosjen kemi fituar rreth 60 deputetë. Tash për katër vite kryeministër do të jetë Albin Kurti dhe Vjosa Osmani presidente për pesë vitet e ardhshme”.

Peci ka thënë se pavarësisht që Mustafa dhe Kryesia e LDK-së kanë dhënë dorëheqje, kanë shumë anëtarë tjerë të Kryesisë së LDK-së që do të pengonin reformat, përcjell Telegrafi.

Ai ka thënë se nëse Osmanit i bëhet ftesë për t’u kthyer si kryetare e LDK-së ajo do të vendos vet.

“Në këtë moment unë mendoj se ajo duhet të jetë presidente pasi ka bërë një zotim”, deklaroi më tej Faton Peci./Telegrafi/