Telegrafi

Të jetosh ‘buzë greminës’! Pamje që tregojnë tri shtëpi milionerësh ‘të varura’ pas rrëshqitjes së madhe të dheut në Kaliforni

Tri shtëpi miliona dollarëshe në Kaliforninë Jugore gjenden të rrezikuara buzë një shkëmbi pas një rrëshqitjeje dheu gjatë fundjavës.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, shembja ndodhi në Dana Point, Orange County, të premten dhe bëri që balta dhe mbeturinat të rrëshqisnin poshtë humnerës rreth 50 metra më poshtë.

Që nga e diela, nuk është urdhëruar asnjë evakuim, dhe ekuipazhet inxhinierike po vlerësonin “integritetin strukturor” të shtëpive – të vetmet të vendosura në buzë të shkëmbit.

Megjithatë, banorët e pronave të prekura janë këshilluar të qëndrojnë vigjilentë dhe të përgatiten për mundësinë e afërt të zhvendosjes.

Tri shtëpitë e prekura tani janë lënë kryesisht në mëshirën e “Nënës Natyrë”, megjithëse shirat që përmbytën së fundmi rajonin duket se kanë kaluar.

Ato kanë një çmim rreth 12.8 milionë dollarë, 13 milionë dollarë dhe 15.9 milionë dollarë dhe janë në rrezik të bien në Paqësor. /Telegrafi/