Site icon Telegrafi

Të gjithë u befasuan nga kartoni i kuq i rrumbullakët që gjyqtari përjashtoi Joao Gomes në FA Cup, zbulohet arsyeja e përdorimit të tij

Mbrëmë (e premte) pamë një situatë mjaft interesante në ndeshjen e Kupës FA të Anglisë ndërmjet Brentfordit dhe Wolverhampton, e cila la shumë tifozë të futbollit në habi.

Luhej minuta e nëntë e ndeshjes kur gjyqtari kryesor i ndeshjes, Tony Harrington, përjashtoi nga loja lojtarin e Wolves, Joao Gomes, pas një ndërhyrje të ashpër.

Por, ajo që mahniti apo befasi tifozët e futbollit ishte se gjyqtari Harrington nxori një karton të kuq të rrumbullakët nga xhepi.

Duke qenë se jemi mësuar që kartonët e verdhë dhe të kuq të jenë në formë drejtkëndëshe, shumëkush u hutua nga kartoni që Harrington nxori nga xhepi, por ka një shpjegim të thjeshtë për këtë.

Kjo nuk është hera e parë që shfaqet një karton i kuq i rrumbullakët në Angli, por nuk ka ndodhur shumë herë gjatë historisë.

Gjyqtarët mund të marrin me vete kartonë të kuq të rrumbullakët dhe të verdhë drejtkëndësh në ndeshje për dy arsye.

E para është në mënyrë që lojtarët që nuk bëjnë dallimin midis ngjyrave të dinë qartë se cili karton po i tregohet dhe e dyta është që vetë gjyqtari të mos gabojë.

Domethënë, gjatë historisë ka ndodhur që gjyqtari, duke nxituar për të treguar një karton, ka nxjerrë kartonin me ngjyrë të gabuar, dhe në këtë mënyrë aksidentalisht i ka treguar një karton të verdhë lojtarit që ka dashur ta përjashtojë dhe aksidentalisht i ka treguar kartonin e kuq lojtarit që synonte ta ndëshkonte me karton të verdhë.

Kur sjell një karton të kuq të rrumbullakët, forma e kartonit e ndihmon të kuptojë më lehtë se cilin ka marrë në dorë.

Ndryshe, ndeshja e mbrëmshme përfundoi me rezultat 1-1, kështu që Brentford dhe Wolves do të duhet të luajnë një tjetër duel për të kaluar në fazën tjetër të FA Cup. /Telegrafi/

Exit mobile version