Site icon Telegrafi

Të gjithë po flasin për intervenimet që Raya bëri përballë Aston Villas

David Raya bëri intervenime mahnitëse për t’i mohuar Ollie Watkins golin.

Arsenali bëri një paraqitje masive me një fitore 2-0 jashtë fushe kundër Aston Villas të shtunën në mbrëmje.

Topçinjtë u hakmorën ndaj Villas për humbjet në sezonin e kaluar – duke realizuar dy herë përmes Leandro Trossard dhe Thomas Partey.

Por trajneri Mikel Arteta pranoi se pritjet “magjike” të portierit Raya nga goditja me kokë e Watkins “ndryshoi të gjithë ndeshjen”.

Portieri 28-vjeçar, fillimisht kishte mbetur i shtrirë pasi gjuajtja e devijuar e Amadou Onana kaloi mbi të dhe për fat goditi traversën.

Topi u kthye drejt Watkins që mendoi se po shënonte, duke goditur me kokë në portën e zbraztë.

Lexo po ashtu Arsenali shpëton nga dy episode, fiton me golat e shënuar në pjesën e dytë 

Por, portieri i Arsenalit ishte në një farë mënyre në gjendje të ngrinte dorën dhe të bënte një pritje të jashtëzakonshme duke e larguar rrezikun nga porta e tij.

Dhe lojtari i ndeshjes, Raya deklaroi: “Është një nga ato ku nuk e dini se si e keni bërë. Është një intervenim fantastik”.

“Isha në tokë dhe pashë topin që po shkonte te Ollie, kështu që u përpoqa të ngrihesha sa më shpejt që të ishte e mundur”.

“Është e ëmbël të thuash se e gjithë puna e vështirë ka dhënë rezultat. Është një moment vendimtar. Ata patën shanset e tyre dhe unë isha aty për të shpëtuar goditjen me kokë të Ollie”, ka shtuar më tej spanjolli. /Telegrafi/

Exit mobile version