Sigal Prishtina dhe Bashkimi janë skuadrat që e kanë siguruar nga një vend në finalen e madhe të Kupës së Kosovës në basketboll.
Kjo pasi prizrenasit në gjysmëfinalen e parë të luajtur të premten mbrëma, e kanë mposhtur Rahovecin me rezultat 93-76, kurse bardhekaltrit triumfuan në gjysmëfinalen e dytë në ballafaqim me Golden Eagle Yllin me shifrat 85-74.
Finalja e madhe e Kupës së Kosovës do të zhvillohet të dielën me fillim nga ora 19:00, kurse në ora 16:00 do të luhet finalja në konkurrencën e femrave, ku do të takohen Penza dhe Pro Bet Prishtina.
Fitues i Kupës së Kosovës për edicionin e kaluar është Sigal Prishtina te meshkujt dhe Pro Bet Prishtina te femrat.
Sigal Prishtina e ka fituar 12 herë këtë trofe prej vitit 1991 e deri më 2017, kurse Bashkimi vetëm një herë.
Pro Bet Prishtina (ish-Universiteti) është stolisur nëntë herë me Kupën e Kosovës, kurse Penza e ka fituar gjashtë herë këtë trofe.
Duhet theksuar se këtë edicion për herë të parë është zhvilluar ‘Final 8’ i Kupës së Kosovës me këtë format, duke filluar nga dita e mërkurë 28 shkurt e deri të dielën 4 mars në palestrën “13 Qershori” në Suharekë.
‘Final 8’ më parë është organizuar në Gjakovë në vitin 2014, por jo në këtë format.
Organizatore e Final 8 të Kupës së Kosovës është skuadra e Golden Eagle Yllit nga Suhareka.