Telegrafi

“Të bashkuar për Ukrainën”, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë vendos flamurin në përkrahje të Ukrainës

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka vendosur flamurin e Ukrainës, ku në mbishkrim thuhet “Të bashkuar për Ukrainën”.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, derisa ka publikuar fotografi nga vendosja e flamurit, ka shkruar se nuk mund të pranojnë agresionin e Rusisë, transmeton Telegrafi.

“Ne nuk mund dhe nuk do të pranojmë agresionin e Rusisë: ai është një sfidë themelore dhe e papranueshme për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, thotë ai në platformën “X”.

Më tej, ai ka shtuar se “dy vjet pasi Rusia filloi pushtimin e saj brutal dhe në shkallë të plotë të Ukrainës, ne rikonfirmojmë angazhimin tonë si partnerë ndërkombëtarë për të mbështetur Ukrainën në luftën e saj për të mbrojtur popullin dhe territorin e saj, demokracinë dhe vlerat e saj”.

Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e pajustifikueshëm të shtetit ukrainas më 22 shkurt të vitit 2022 duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të shumta materiale. /Telegrafi/