Në nëntor të vitit të kaluar, investitori italian Fantinel, që është njëri nga blerësit e ndërmarrjes NBI Suhareka, përmes procesit të privatizimit kishte menduar se pas 7 vjetësh problemet e tij do të përfundonin. Por, ndodhi e kundërta.
Ai, përpos problemeve që vazhdon t’i ketë me aksionarin tjetër, kompaninë QMI, tash e disa muaj po përballet me probleme edhe me sistemin gjyqësor, raporton KTV.
Drejtuesit e Agrokosova Holding thonë se për ushtruesin e detyrës së kryeprokurorit dhe një prokuror në Prokurorinë Themelore të Prizrenit i janë ankuar edhe prokurorit të Shtetit.
Sami Ademi, zëvendësdrejtor i Agrokosova Holding, ka thënë se investitori italian ka një kohë të gjatë që po kërkon ndihmë nga të gjitha institucionet shtetërore, por deri më tani ka munguar gatishmëria për t’i ofruar ndihmë.
Ai ka thënë se deri tash Fantinel ka investuar rreth dy milionë euro në sjellje të pajisjeve, ndërsa së shpejti do t’i investojë edhe dy milionë euro të tjera për t’i plotësuar të gjitha kërkesat e vëna nga AKP-ja, përcjell Koha.net. Zyrtarë të policisë rajonale të Prizrenit kanë thënë se në shumicën e rasteve janë arrestuar personat e njëjtë që janë arrestuar edhe më herët dhe që gjykata më pas i ka liruar.
Ndërmarrja NBI Suhareka ishte shitur nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit gjatë 2006-2007-ës me anë të Spin Off-it special, duke shpallur fitues kompaninë QMI dhe grupin Fantinel.