Këngëtari Blero do të sjellë brenda pak ditësh projektin e tij të parë për vitin 2018.
“1000” titullohet kënga e tij më e re, e cila do të vijë në bashkëpunim me Prygon, ndërsa do të jetë pak më e veçantë.
“Këngën e kemi punuar unë, Prygo, Uki dhe Arsim Bunjaku, ndërsa vargjet e tekstit i ka shkruar një reper i quajtur Tonic. Si këngë realisht është realizuar para 2-3 viteve, por nuk e kemi gjetur asnjëherë çastin e duhur për ta publikuar deri tash”, tha Blero për Telegrafi.
Në vazhdimin e bisedës, Blero tha se ajo çfarë e bën më të veçantë këtë këngë është fakti se “1000” është njëherësh kënga e tij e parë me mtovie patriotike.
“Kjo këngë do të publikohet më 25 janar, dhe përkon me festën e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës . I përshtate festës, dhe është kënga ime e parë me motive patriotike”, tha ai më tej.
Tutje, këngëtari nuk la pa përmendur pak edhe për klipin që do t’i bashkëngjitet këngës, e që do të jetë pak më i veçantë se herët tjera, kjo për shkak të prezencës së një personi shumë të veçantë.
“Klipin e ka realizuar një regjisor i ri me emrin Flamur Thaçi. Skenat e klipit janë xhiruar disa në Prizren, dhe disa në Brezovicë. Do të sjellë skena mjaft interesante, dhe veçantia e tij më e madhe, është se për herë të parë do të paraqitet Tara në një klip timin, ajo do të luajë dhe ka dhuruar një performancë të bukur”, përfundoi Blero për Telegrafin.
Telegrafi ka siguruar disa imazhe ekskluzive nga prapaskenat e klipit, në të cilin dyshja në fjalë do të vijnë mjaft me stil.
“1000” do të publikohet më datën 25 janar të këtij viti. /Telegrafi/