Shtëpia e Bardhë po përballet me një luftë të re që ka kërkuar një riorientim të menjëhershëm të prioriteteve dhe planit të presidentit Joe Biden, duke përfshirë një udhëtim këtë javë në Izrael dhe Jordani, ndërsa situata në Lindjen e Mesme bëhet gjithnjë e më “urgjente”.
Udhëtimi i ardhshëm i Biden, i njoftuar nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken nga Tel Avivi në orët e para të së martës, pason një ditë të gjerë takimesh në Izrael nga diplomati më i lartë amerikan, që përfshinte një takim shtatë orë e gjysmë me kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe kabineti i tij i luftës.
Vizita e Biden do të bazohet në turneun shumëditor të shtatë vendeve të Blinken në Lindjen e Mesme, i cili vjen ndërsa SHBA përpiqet të arrijë një ekuilibër delikat të ofrimit të mbështetjes së palëkundur për operacionet ushtarake të Izraelit, të “zbusë” katastrofën humanitare në Gaza dhe të ndalojë përhapjen e luftës në fronte të mëtejshme.
Ndihmësit e tij kanë thënë se presidenti ka shprehur një interes të fortë për të bërë udhëtimin pasi u ftua gjatë fundjavës nga Netanyahu, të cilin Biden e njeh prej katër dekadash.
Presidenti amerikan do të udhëtojë gjithashtu në Jordani, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, ku do të takohet me Mbretin Abdullah II, presidentin Abdel Fattah el-Sisi të Egjiptit dhe presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas.
Ditët e fundit, kryediplomati amerikan u takua veçmas me tre liderët, të cilët të gjithë e kanë dënuar situatën në Gaza.
“Biden do ta bëjë të qartë se ne duam të vazhdojmë të punojmë me të gjithë partnerët tanë në rajon, përfshirë Izraelin, për ndihmën humanitare dhe përsëri për të siguruar një lloj kalimi të sigurt për civilët që të dalin jashtë”, tha Kirby. /Telegrafi/