Site icon Telegrafi

Talenti nga Kumanova, Taulant Seferi, tregon pse zgjodhi Shqipërinë para Maqedonisë

Kombëtarja shqiptare fiton një tjetër futbollist cilësor për të ardhmen. Bëhet fjalë për Talulant Seferin, i cili është pjesë e Young Boys në Superligën e Zvicrës.

20-vjeçari i lindur në Kumanovë, një mesfushor me tipare sulmuese, nëpërmjet një postimi në “Facebook”, ka qartësuar se e ardhmja e tij do të jetë me fanellën kuqezi, pavarësisht se ka qenë pjesë e përfaqësueseve të moshave të Maqedonisë, madje edhe në skuadrën A, me të cilën ka zhvilluar dy ndeshje.

Pas ftesës së marrë nga Federata Shqiptare e Futbollit, mbrojtësi i krahut të majtë ka kthyer përgjigje pozitive, duke bërë një zgjedhje, që sipas tij është e zemrës.

“Në njërën anë ishte respekti dhe mirënjohja për Maqedoninë, ndërsa në anën tjetër zemra dhe dëshira për të përfaqësuar kombin tim, Shqipërinë. E kemi analizuar mirë këtë situatë dhe bashkë me familjen time kemi vendosur që në të ardhmen unë të përfaqësoj Shqipërinë”.

“Do Zoti të kem sukses, me shpresë që këtë vendim timin ta mirëkuptojnë të gjithë”, shkruan Seferi ndër të tjera, në postimin e tij.

Seferi e ka nisur karrierën në moshë te re te Milano e Kumanovës, ndërsa në vitin 2011 i është bashkuar Rabotnickit ku ka qëndruar deri në vitin 2014.

Në fillim të 2015-ës u transferua në Zvicër te Yong Boys. Seferi fillimisht do të grumbullohet nga trajneri i shpresave, Alban Bushi, i cili sheh te 20-vjeçari një element cilësor për kualifikueset e Evropianit të 2019.

Përfaqësuesja U-21 e Shqipërisë është shortuar në grupin 2 bashkë me Spanjën, Sllovakinë, Islandën, Estoninë dhe Irlandën e Veriut.

Exit mobile version