Kryetari i ri i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi ka ftuar sot në takim joformal përfaqësuesit e partive politike në KQZ. Në takimin e thirrur nga Radoniqi kanë marrë pjesë vetëm përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lista Serbe, ndërsa anëtarët e partive opozitare si PDK, LDK dhe AAK nuk kanë qenë të pranishëm në këtë takim.
Arianit Elshani nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për Telegrafin tha se e kanë bojkotuar këtë takim të ftuar nga Radoniqi.
Elshani theksoi se presidentja e Kosovës, pa fakte si dhe e ndikuar politikisht nga një parti politike, mori vendim për shkarkim të kryetares së KQZ-së dhe emërimin e ushtruesit të ri të detyrës.
Ai fton që politika dhe agjendat politike të LVV-së të mbajnë larg duart nga pavarësia institucionale që i takon KQZ-së.
“Presidentja e Kosovës, pa fakte dhe ndikuar politikisht nga një parti politike, mori vendim për shkarkim të kryetares së KQZ-së dhe emërimin e ushtruesit të ri të detyrës. Me këtë vendim, është rrezikuar edhe procesi i zgjedhjeve lokale të këtij viti. Andaj, ftoj që politika dhe agjendat politike të LVV-së të mbajnë larg duart nga pavarësia institucionale që i takon KQZ-së”, ka thënë ai.
Elshani po ashtu u shpreh se përmes këtij bojkoti kërkojnë që sa më parë të funksionalizohet në plotni KQZ-ja, të emërohen edhe dy anëtarët e munguar në KQZ, që janë një nga PDK-ja dhe një nga Vakat.
“Pa emërimin e këtyre dy anëtarëve rrezikohet mbarëvajtja e zgjedhjeve lokale”, tha ndër të tjera Elshani.
Ndërsa, Florian Dushi nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në një përgjigje për Telegrafin tha se nuk ka marrë pjesë në këtë takim joformal pasi njoftimin e ka pranuar me vonesë.
“Nuk kam marrë pjesë në këtë takim joformal për shkak se njoftimin e kam pranuar me vonesë”, tha Dushi.
Ndërsa, Ibrahim Selmanaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), tha për Telegrafin se nuk ka marrë pjesë në këtë takim, pasi sot është dita e Çlirimit të Deçanit, i cili për momentin gjendet në këtë komunë.
“Sot është dita e çlirimit në Komunën e Deçanit dhe jemi në këtë aktivitet. Kjo ka qenë arsyeja e mospjesëmarrjes në këtë takim”, tha Selmanaj.
Ndryshe, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shkarkuar Valdete Dakën nga udhëheqja e KQZ-së. Në vend të saj, Osmani ka emëruar Kreshnik Radoniqin si kryesues të ri të KQZ-së. /Telegrafi/