Site icon Telegrafi

Takimi i së mërkurës në Bruksel, nga Qeveria konfirmojnë pjesëmarrjen e Bislimit

Zëvendëskryeministri dhe kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Bashkimi Evropian, i cili do të mbahet të mërkurën Bruksel.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar këshilltari i tij politik, Klisman Kadiu, duke mos treguar nëse në këtë takim do të jetë i pranishëm edhe kryenegociatori serb për dialogun me Kosovën, Petar Petkoviq.

“Mund të konfirmoj nga ana jonë, zëvendëskryeministri Bislimi nesër do të jetë në Bruksel”, kanë thënë Kadiu.

Lexo po ashtu BE-ja nuk tregon nëse do t’i largoj masat ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës – këtë javë pritet takim në Bruksel

Nga pala serbe ende nuk ka një konfirmim zyrtar për pjesëmarrjen e tyre.

Takimi mes dy kryenegociatorëve në Bruksel është hapi i katërt i dakorduar mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Megjithatë, më 10 korrik, Kosova dhe BE-ja kanë arritur pajtim për hapat e parë drejt shtensionimit të situatës në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Pikat e marrëveshjes Kosovë-BE për shtensionimin e situatës në veri:

1.Qeveria e Kosovës publikisht shpall përkushtimin e saj për të punuar në depërshkallëzimin e situatës dhe se nuk do të ndërmarrë asnjë masë për përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës. Kjo përfshin një ulje të menjëhershme për 25% të gjithë pranisë së policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale.

2.Policia e Kosovës kryen rregullisht vlerësime të përbashkëta të sigurisë me EULEX-in dhe me KFOR-in sipas nevojës, për të vlerësuar mundësinë e zvogëlimit të mëtejshëm të gjithë pranisë së policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale.

3.Qeveria e Kosovës bën një deklaratë publike duke inkurajuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja pas verës në katër komunar në veri. Kosova angazhohet që të ketë bazën e nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve.

4.BE-ja do të ftojë dy kryenegociatorët në Bruksel për të finalizuar Marrëveshjen për Rrugën e Normalizimit, pas së cilës do të fillojë zbatimi i të gjitha dispozitave të marrëveshjes/Telegrafi/

Exit mobile version