Lionel Messi e ka informuar trajnerin e Barcelonës, Ronald Koeman, se dyshon për ta ardhmen e tij në Camp Nou.
Argjentinasi ishte dëshpëruar me menaxhmentin e klubit në sezonin që lamë pas, ndërsa gjithçka kulmoi me eliminimin turpërues nga Liga e Kampionëve, nga ku edhe nisën spekulimet për largimin e tij.
Pas angazhimit të strategut holandez si trajner i Blaugranëve, ai kishte caktuar takim me yllin kryesor të skuadrës gjatë të enjtes për të marrë opinionin e tij lidhur me të ardhmen – transmetojnë Marca dhe AS.
Sipas RAC1, Messi e sheh veten më shumë jashtë Barcelonës në të ardhmen e afërt, mirëpo është i vetëdijshëm se do ta ketë të vështirë të largohet nga klubi, me të cilin ka edhe një vit në kontratën e tij.
Kapiteni i ka ndërprerë pushimet për t’u kthyer në Kataluni për t’u takuar me trajnerin e ri, me të cilin kanë folur për projektin e sezonit të ardhshëm.
Prioritet i Barcelonës mbeten përpjekjet për ta bindur Messin që ta vazhdojë karrierën në Camp Nou, pasi Josep Maria Bartomeu nuk dëshiron të mbahet mend si presidenti që e lejoi largimit e futbollistit më të mirë në histori të klubit. /Telegrafi/
Do ta respektojë Messi kontratën njëvjeçare, do të largohet apo do ta vazhdojë qëndrimin te klubi ku fitoi gjithçka? Shprehuni në hapësirën për komente.