(E PLOTËSUAR) Takimi mes krerëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, Albin Kurtit dhe Isa Mustafës, për arritjen e një marrëveshjeje për bashkëqeverisje, po vazhdon tash e më tepër se dy tri orë në ambientet e Kuvendit të Kosovës.
—————————————————————
Në orën 16:00 ka filluar të mbahet takimi i radhës mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa në përpjekje për arritje të koalicionit qeverisës.
————————————————–
Mustafa, ka arritur në ambientet e Kuvendit të Kosovës, për takimin me Kurtin e VV-së, i paraparë të niste në ora 16:00.
Kreu i LDK-së, ka qenë i shoqëruar nga dy nënkryetarët e partisë së tij, Agim Veliun dhe Lutfi Hazirin, si dhe anëtarin e kryesisë, Avdullah Hotin.
Më herët, përfaqësues të këtyre partive kanë deklaruar se kanë parë avancim të pozicioneve të tyre drejt një marrëveshje.
Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë bërë të ditur se do t’i intensifikojnë takimet si përpjekje për arritje të koalicionit qeverisës, tash kur kanë mbetur edhe dy javë deri në seancën konstituive.
Nënkryetari i LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se janë dakorduar që ti vazhdojnë takimet në baza ditore.
Lutfi Haziri, nënkryetar i LDK-së i ka thënë se sot është dita kryesore e arritjes eventuale të marrëveshjes.
Haziri e ka quajtur këtë “marrëveshje e madhe për ndryshim”.
Ndërkaq, kjo është dita e dytë me radhë ku po takohen liderët e VV-së dhe LDK-së, teksa në orët e hershme të ditës sotme dy partitë kanë mbledhur kryesitë partiake për t’i njoftuar mbi rrjedhën e negociatave.
Në VV u shprehën të qartë se ajo që po bën bllokada është LDK duke kërkuar postin e presidentit. /Telegrafi/