Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier është deklaruar sot rreth raportimeve se kryeministri Albin Kurti gjatë qëndrimit në SHBA nuk ishte pritur në Shtëpinë e Bardhë nga këshilltari për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, por jashtë Shtëpisë së Bardhë dhe në korridore.
Ambasadori amerikan në një postim në Twitter është shprehur i zhgënjyer me raportimet e pasakta në lidhje me vendndodhjen e takimit Kurti-Sullivan.
Se takimet e nivelit të lartë ishin mbajtur edhe në të kaluarën, përmend takimin Thaçi-Biden në vitin 2010.
Ai shkruan se takimet e nivelit të lartë dhe ato komplekse mbahen rregullisht në Zyrën ku Sullivan takoi Kurtin.
“U befasova kur pashë disa shkrime të pasakta dhe mashtruese në shtypin lokal në lidhje me vendndodhjen e Kryeministrit Albin Kurti gjatë takimit me këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan.
Ndërtesa e Zyrës Ekzekutive Eisenhower është pjesë e Shtëpisë së Bardhë dhe takimet komplekse dhe të nivelit të lartë, duke përfshirë Presidentin, Zëvendës Presidentin dhe Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare mbahen rregullisht atje.
Një shembull, në vitin 2010, unë isha i pranishëm në një takim mes zëvendës presidentit të atëhershëm Biden dhe kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi në ndërtesën e Zyrës Ekzekutive Eisenhower”, shkruan ambasadori.
Ndryshe, Kurti ishte në një vizitë disa ditore në SHBA, ku ka takuar senatorë, kongresmen dhe përfaqësues të bizneseve.
Kryeministri ka thënë se qëllimi i vizitës në SHBA ishte siguria në rajon dhe investimet. /Telegrafi/
(1/3) I was surprised to see several inaccurate & misleading stories in local press regarding the location of Prime Minister @albinkurti’s cabinet-level meeting with @POTUS Biden’s National Security Advisor @JakeSullivan46. pic.twitter.com/wcL75xf54d
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) May 31, 2022