Site icon Telegrafi

Takimin Kosovë-Serbi më 13 maj në Bruksel dikush e pa si mundësi për “disa vendime të mira”, analistët shprehen skeptikë

Më 13 maj do të mbahet takimi i radhës ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, të cilin takim ministrja e Mbrojtjes së Gjermanisë, Christine Lambercht, në vizitën që ia bëri ditë më parë vendit tonë, e prezantoi si mundësi për “disa vendime të mira”, mirëpo skeptike për këtë janë dy analiste në Kosovë.

Albana Rexha nga Demokraci Plus, në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se është skeptike nëse mund të arrihet ndonjë marrëveshje, kjo për faktin se, siç tha ajo, pala serbe nuk ka gatishmëri për të arritur një marrëveshje të tillë.

Albana Rexha nga Demokraci Plus

“Takimet e shpeshta dhe vizitat e diplomatëve të huaj munden me qenë një sinjalizim për përshpejtim drejt arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare me njohjen në qendër të saj.

Vlerësoj se ky do të jetë edhe një takim i radhës, por jam skeptike se mund të arrihet ndonjë marrëveshje, kjo për faktin se pala serbe nuk ka gatishmëri për të arritur një të tillë përkundër se pala kosovare ka ofruar disa opsione për zgjidhjen e çështjes së targave”, ka thënë Rexha.

Lexo po ashtu Ministrja gjermane e Mbrojtjes: Shpresoj të ketë vendime të mira drejt njohjes reciproke nga takimi i 13 majit në Bruksel

Rexha shtoi se: “Gjithsesi, si hap i parë presim të shohim nëse një marrëveshje do të arrihet, më pastaj për të parë nëse një e tillë do të zbatohet.

Ndërsa, Violeta Haxholli nga KDI për Telegrafin tha se janë tri tema që do të diskutohen, e të cilat janë që nga fillimi i dialogut.

“Njëra është për energjinë, tjetra për targat, e cila ka edhe marrëveshje e që ka hasur edhe në vështirësi të zbatimit, si dhe tjetra ka të bëjë me çështjen e të pagjeturve, e cila ka pasur pak përparim. Mirëpo, ende mbetet që palët të vazhdojnë përpjekjet për të gjetur të gjitha trupat që janë zhdukur me forcë në luftën e fundit në Kosovë”, ka thënë Haxholli.

Këto çështje shumë të rëndësishme, sipas saj, prekin direkt jetën e qytetarëve.

Violeta Haxholli nga KDI
Lexo po ashtu Më 13 maj në Bruksel takimi i radhës Kosovë-Serbi për çështjen e targave

“Do të ishte shumë e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të përpiqen të arrijnë marrëveshje dhe përparim në këto tema. Një nga qëllimet kryesore pse është nis dialogu, me rezolutën e OKB-së është të përmirësojë jetën e qytetarëve. Deri tash me marrëveshjen për lëvizjen e lirë, ku hyn edhe çështja e targave të veturave, nuk është përmirësuar shumë jeta e qytetarëve, sepse ka pas modalitete të cilat Kosova dhe Serbia i kanë aplikuar, qoftë në tabela të përkohshme të veturave apo me stikera, e kështu me radhë… Besoj që takimin e ardhshme të dialogut palët duhet të kenë në fokus interesin qytetarë dhe të synojnë përmes marrëveshjeve përmirësimin e jetës së qytetarëve”, tha ajo.

Haxholli u shpreh se është shumë me rëndësi që palët sa më parë t’i kthehen diskutimeve mbi marrëveshjen finale dhe të bien në dakordim mbi elementet e asaj marrëveshje.

“Duke pas parasysh që palët kanë diskutuar dhe më herët për çështjen e targave dhe nuk kanë arritur një marrëveshje është vështirë të pritet që palët këtë herë do të arrijnë ndonjë marrëveshje apo dakordim, por normalisht që është mirë dhe pozitive që procesi po vazhdon”, theksoi tutje ajo.

“Edhe deklarata e ministres gjermane tregon vullnetin e mirë që e kanë mbështetësit e dialogut që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje. Mirëpo, i mbetet Kosovës dhe Serbisë nëse do të arrijnë ndonjë marrëveshje mbi këto tema”, ka thënë ndër të tjera Haxholli nga KDI.

Ndryshe, i dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka bërë të ditur se më 13 maj do të jetë takimi i radhës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave, të cilat do të përfaqësohen nga kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij serb, Petar Petkoviq. /Telegrafi/

 

Exit mobile version