Telegrafi

Takimi i gjashtë i grupeve punuese për targat, Lajçak: Koha për gjetjen e interesave të përbashkëta

Foto: Arkiv

Në Bruksel është zhvilluar takimi i gjashtë i grupeve punuese të Kosovës dhe Serbisë për targat e automjeteve.

Mbajtja e këtij takimi është konfirmuar nga i Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Lajçak, përmes një postimi në Twitter, ka thënë se ekspertët e BE-së ndihmuan të dy delegacionet në identifikimin e të gjitha opsioneve ekzistuese dhe implikimet e tyre teknike

“Ndërkohë, delegacionet e ekspertëve të Kosovës dhe Serbisë janë takuar sot në Bruksel për takimin e gjasht të Grupit Punues për Targat. Ekspertët e BE-së ndihmuan të dy delegacionet në identifikimin e të gjitha opsioneve ekzistuese dhe implikimet e tyre teknike. Tani është koha për t’u angazhuar në gjetjen e interesave të përbashkëta”, ka shkruar Lajçak, prcjell Telegrafi.

Në bazë të marrëveshjes së arritur në Bruksel në mes Kosovës dhe Serbisë, nga 4 tetori i vitit 2021 ka nisur së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse (stickersave), në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi.

Lexo po ashtu Takimi i pestë i grupeve punuese për targat, Lajçak: Është treguar përparim dhe mirëkuptim

Kjo masë është paraparë të zgjasë gjashtë muaj deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme për këtë çështje, për çfarë dy palët kanë formuar grupet punuese.

Grupet punuese për targat janë ngritur pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për aplikimin e masës së reciprocitetit për targat.

Një zgjidhje është paralajmëruar të ndodhë në tremujorin e parë të këtij viti.

Ndryshe, në shtator të vitit të kaluar pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjakë që lidhin Kosovën me Serbinë, për trembëdhjetë ditë qëndruan të bllokuara pasi Qeveria e Kosovës vendosi reciprocitet për targat e veturave nga Serbia.

Pas më shumë se 13 ditë bllokade këto dy pika kufitare u liruan më 4 tetor, pas marrëveshjes së arritur në Bruksel në mes palës kosovare dhe asaj serbe. /Telegrafi/